Vuçiq: Rreth vizitës së Lavrovit në Serbi u krijua histeri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha Radio Televizionit të Serbisë më 6 qershor se ai ishte i pakënaqur me atmosferën e krijuar në botë për shkak të vizitës të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe se lidhur me këtë vizitë, ishte krijuar “histeri”.

“Në shumë bisedime, Serbisë iu kërkua që ta anulonte vizitën”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbisë nuk iu lejua që të bisedonte me ministrin e Jashtëm rus.

Lavrov ishte paraparë që të vizitonte Serbinë më 6 qershor, por Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria refuzuan që të lejonin avionin e Lavrovit mbi hapësirën e tyre ajrore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se kjo lëvizje e këtyre tri shteteve ishte “akt armiqësor”.

Njoftimi për vizitën e Lavrovit në Serbi u bë disa ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një bisede telefonike më 29 maj, u pajtuan për një marrëveshje të re të furnizimit të Serbisë me gazin natyror rus.

Lavrov së bashku me Putinin janë në listën e sanksioneve të shumë shteteve perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës. Të vetmet vendeve në Evropë që ata mund të udhëtojnë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Vuçiq tha se Serbia e dënon sulmin rus ndaj Ukrainës në përputhje me ligjin ndërkombëtar, por Rusia është mike tradicionale e Serbisë.

Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por Beogradi ka mbështetur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus.

Vuçiq shtoi se Serbia do të mbajë politikën e saj “për marrje të vendimeve në mënyrë të pavarur”, por që duhet të përshpejtojë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
“Pres që Qeveria e re të udhëheqë fuqishëm rrugën drejt integrimit evropian, por edhe të mbajë politikën e pavarur”, tha ai.

I pyetur për vizitën e paralajmëruar të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Serbi më 10 qershor, Vuçiq tha se Gjermania është partnerja kryesore tregtare e Serbisë dhe së fundmi është bërë edhe investitore e madhe.

Ai shtoi se ishte njoftuar paraprakisht nga zyra e Scholzit se kancelari gjerman do të shkojë në Serbi pavarësisht vizitës së Lavrovit.

Scholz do të ketë një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor, në Greqi dhe Bullgari. Ky turne pritet të përqendrohet në perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në kontributin gjerman për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe në tejkalimin e bllokadave dypalëshe./REL