Takimi i liderëve në kuadër të nismës "Ballkani i Hapur", Foto: Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Vuçiq: Prishtina është e mirëseardhur në grupet punese për 'Ballkanin e hapur'

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në nisjen e Samitit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër, ka thënë se janë të mirëseardhur të gjithë që të marrin pjesë duke përfshirë edhe Kosovën.

“Janë të mirëseardhur në këto marrëveshje edhe nëse dëshirojnë të marrin pjesë në formimin e grupeve punuese edhe përfaqësuesit e Bosnje Hercegovinës, Prishtinës, Malit të Zi e kështu me radhë”, ka deklaruar Vuçiq.

Presidenti serb tha se kjo iniciativë është e njerëzve nga Ballkani duke shtuar se kanë arritur që të zgjidhin disa probleme që kishin para rreth 70 vitesh.

“Kjo është iniciativa jonë, e njerëzve nga Ballkani, e atyre që e kanë kuptuar se duhet të lidhen dhe se munden t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Çdo gjë që kemi bërë në ekonomi, shihet në marrëdhëniet mes Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut. Arritëm të zgjidhim disa probleme brenda nesh që kishim para 50 apo 70 vitesh”, ka thënën Vuçiq.

Tutje ai shtoi se kjo iniciativë nuk mund të ndalet.

“Ne nuk kemi asnjë kërkesë ndaj askujt përveç që të jemi miq, të bashkëpunojmë dhe të punojmë për interesin e bashkëqytetarëve tanë. Kjo është një iniciativë e njerëzve që jetojnë në Gadishullin Ballkanik dhe kjo nuk mund të ndalet”, u shpreh Vuçiq.

Pjesë e Samitit të “Ballkanit të Hapur” nuk është Kosova, e cila e ka refuzuar në vazhdimësi ftesën për pjesëmarrje në këtë nismë.

Më 3 qershor u bë e ditur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur.

Në një letër drejtuar homologut maqedonas, kryeministri Kurti thotë se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit që mbulon iniciativa rajonale, i cili u miratua nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.