Vuçiq për takimin në Berlin: Pati tentim që dialogu të rinisë por zotërinjtë nga Prishtina nuk e duan këtë

Dy ditë pas takimit në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe darkës joformale me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë pothuajse inekzistent.

Në një konferencë për media, Vuçiq deklaroi se kishte përpjekje që dialogu të rinisë por që siç tha ai “zotërinjtë nga Prishtina nuk e kanë dashur këtë dialog”.

“Sa i përket dialogut me Prishtinën, pothuajse ky dialog nuk ekziston. Kishim tentim që ky dialog të nisë në Berlin, por zotërinjtë nga Prishtina nuk e kanë dashur këtë dialog dhe në Berlin kanë dashur të bëjnë një deklaratë të përbashkët, por nuk pranuan që të ishte shkruar Prishtinë-Beograd”, ka deklaruar presidenti serb.

Vuçiq ka thënë se që prej ardhjes në pushtet të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, askush nuk po reagon për sulmet ndaj serbëve.

“Askush nuk reagon për rritjen e sulmeve ndaj serbëve që kur ka ardhur Albin Kurti në pushtet. Ne jemi të ekspozuar dhe po përballemi me shkelje të madhe të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare në Kosovë dhe më së shumti, shkeljen e rezolutës 1244 të OKB-së dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare që thirret në këtë rezolutë. Këtë rezolutë nuk e respekton dhe ua ndalon njerëzve që të flitet haptas për këtë rezolutë”, tha Vuçiq.

Presidenti serb ka përmendur edhe shkrimet e mediave ndërkombëtare për Serbinë duke i quajtur ato “gënjeshtra të mëdha”.

“Keni parasysh se me kënd kemi në punë, me çfarë njerëz ne po merremi. Shumë do të aktronin Zelenskyn rajonal dhe global dhe do të luanin viktimën dhe asgjë nuk bën mbi këtë, kështu që unë ju lus që t’i lexoni në të gjitha mediat ndërkombëtare se si Serbia po rrezikon të tjerët dhe si Serbia do ta sulmojë dikënd në rrugë ushtarake. Kjo në përballje me popujt të cilët janë pro përëndimorë, natyrisht se këtu është fjalë për gënjeshtra të mëdha mirëpo kjo është situata me të cilën ne po përballemi”, u shpreh Vuçiq.

Tutje, Vuçiq në adresimin e tij para qytetarëve tha se situata e Serbisë ka ndryshuar pas disa deklaratave që presidenti rus Vladimir Putin i ka bërë për Kosovën.

“Situata jonë ka ndryshuar shumë pas deklaratave që i ka bërë për Kosovën presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, jo pse ka pasë diçka ndikim në Serbi por cështjen e Kosovës e ka vendosur në një aspekt tjetër, në aspektin e interesave ruse. Unë nuk dua të luaj me deklarata dhe dua të ju sqaroj pse situata e Serbisë është kaq e vështirë për shkak të kësaj deklarate”, ka thënë Vuçiq.

Sipas deklaratë së Vuçiq, Putin iu referua vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, që sipas presidentit serb ,duke dashur të mbrojë interesat ruse, gjeti një bazë ligjore dhe politike për pushtimin e Ukrainës dhe shtoi kjo nuk do të thotë se Rusia do ta njohë Kosovën.

“Rusia nuk do ta bëjë këtë, por Serbia do të jetë nën presion të madh për të njohur Kosovën, në mënyrë që Putini të mos mund të përdorë argumentet e Kosovës për ngjarjet në Ukrainë”, tha Vuçiq, raporton tanjug.

Sa i përket çëshjtes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Vuçiq ka thënë se kosovarët thonë që marrëveshjen e Brukselit e ka nënshkruar dikush tjetër para tyre.

“Përfaqësuesit ndërkombëtarë thonë se marrëveshja e nënshkruar duhet të përmbushet dhe në thelb as që do të diskutohet për atë që është thelbi i marrëveshjes dhe kështu ka qenë me muaj e vite”, ka theksuar presidenti i Serbisë.