Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq - www.lefigaro.fr

Vuçiq për gazetën franceze: Jam kundër shkëmbimit të territoreve

 

Prishtina nuk po bën asgjë për të arritur një marrëveshje kompromisi, ka deklaruar presidenti Serb Aleksandar Vuçiq për gazetën prestigjioze franceze “Le Figaro”, duke theksuar po ashtu se e çmon tej mase faktin se presidenti francez, Macron, po bën përpjekje në diçka për të cilën askush nuk jep garanci të një suksesi politik, shkruan sot e përditshmja serbe Blic.

I pyetur në lidhje me takimin e para pak ditëve me presidentin kosovar Hashim Thaçin, takim ky të cilin e kishte organizuar presidenti francez në margjinat e Konferencës për Paqe në Paris, Vuçiq ka deklaruar se nuk është optimist për një gjë të tillë.

“Pothuajse vazhdimisht kemi provuar që të gjejmë një zgjidhje kompromisi megjithatë Prishtina zyrtare nuk është përpjekur fare, sepse ajo dëshiron që të dalë mirë vetëm para publikut të saj. Prishtina dëshiron që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës e si këmbim që Serbia të mos marrë asgjë”, ka deklaruar Vuçiq, shkuan gazeta serbe.

I pyetur nëse ideja për korrigjim kufijsh, respektivisht për shkëmbim territoresh, është akoma aktuale, Vuçiq është përgjigjur me “jo”, ndërsa kur është pyetur së çfarë do të donte si këmbim në rast se njeh pavarësinë e Kosovës, ai ka deklaruar se për momentin pyetje të tilla nuk duhet të bëhen.

“Prishtina ka vendosur një tarifë 100 përqind për produktet nga Serbia në mënyrë që të na detyrojë që ta njohim pavarësinë e Kosovës në mënyrë të pakushtëzuar. Kjo nuk është sjellje e civilizuar. Nëse ata që janë përgjegjës në Kosovë mendojnë se shantazhet e tyre të vazhdueshme mund të japin rezultat, ata janë duke gabuar. Në prill të vitit 2013, ne nënshkruam një marrëveshje me Prishtinën në Bruksel që garanton formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Përveç që nuk e zbatuan këtë marrëveshje ata madje shpiknin gjëra të pavërteta për të prishur imazhin tonë”, ka deklaruar ai për ‘Le Figaro’.

Sipas presidentit serb, situata është e rëndë duke shtuar se ai e vlerëson shumë atë që presidenti francez Makron po bën përpjekje në diçka për të cilën askush nuk garanton ndonjë sukses duke theksuar se ai është i guximshëm dhe se po angazhohet rreth çështjeve më rëndësi edhepse me shumë pak gjasa që të shpaguhen politikisht”, thuhet më tej në shkrimin e gazetës serbe Blic.

Në pyetjen e gazetarit të ‘Le Figaro’ nëse ekziston ideja e një “Shqipërie të Madhe”, Vuçiq i është përgjigjur me atë se shqiptarët akoma kanë pretendime të tilla.

“Ata e dëshirojnë një gjë të tillë dhe vetëm budallenjtë nuk e shohin këtë. Ndonjëherë deklarojnë së do të bashkohen nën ombrellën e Bashkimit Evropian e ndonjëherë në ndonjë mënyrë tjetër, mirëpo asnjëherë nuk kanë hequr dorë prej një ideje të tillë. Mund ta shihni Albin Kurtin i cili i ka fituar zgjedhjet. Teksa rri i ulur gjatë fotografimit, prapa tij nuk ka flamur të të ashtuquajturës Kosovë, por ka flamur të Shqipërisë. Të gjithë ambasadorët, përfshirë edhe ambasadorët e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, janë ulur me të dhe janë fotografuar përballë flamurit shqiptar dhe një gjë e tillë ata nuk i ka penguar”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Vuçiq po ashtu ka deklaruar se që nga lufta e vitit 1999 serbët kanë qenë përherë në defanzivë ndërkohë që, në të njëjtën kohë, shqiptarët e kanë përdorur imazhin e tyre të mirë, të krijuar nga propaganda e NATO-s, për të arritur qëllimet e tyre.

“Ata kanë krijuar interesa të reja kombëtare që synojnë dominimin në Ballkan. 28 Nëntori është festë kombëtare e Shqipërisë, kurse Albin Kurti ka paralajmëruar tashmë një marshim të madh drejt Tiranës dhe e ka sulmuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, pasi që Albin Kurti e kundërshton një politikë bashkëpunimi në Ballkan të mbështetur nga kryeministri shqiptar”, ka shtuar Vuçiq.

Në lidhje me idenë e tij për “Mini-shengenin” ballkanik, presidenti serb ka deklaruar se ai i është falënderues kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si dhe atij të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, të cilët bashkë me të e kanë nisur një projekt të cilin shumica e quajnë “Mini Shengen” dhe i cili parasheh qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve ndërmjet vendeve tona, përfundon artikullin e saj Blici serb.