Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq pas takimit me Kurtin: S'u pajtuam për asgjë, ai është kthyer në shekullin e 19-të

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takimin e dytë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur ‘të keq’.

“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot isha i bindur se ishte e mundur. Ne morëm propozime të BE që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë dhe Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që propozoi BE”, tha Vuçiq.

Ai po ashtu tha se Serbia ka prezantuar tri pika në dialog, raporton b92.

“Këto ishin tre pika. Të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahen nga situatat e mëtejshme që mund të rrisin tensionet në terren dhe që negociatorët të takohen rregullisht”, tha ai.

Ai deklaroi se Serbia pranoi plotësisht pa asnjë vërejtje disa propozime të palës kosovare, ndërsa sipas tij, Kurti nuk ka pranuar asnjë pikë.

“Është veçanërisht interesante që ata s’pajtoheshin me asnjë propozim. Ata e kushtëzuan dialogun me kritere të reja gjatë gjithë kohës. Prezantimi i tyre ishte se Serbia ishte fajtore për tre gjenocidet në Kosovë. Pastaj ai na shpjegoi se emrat shqiptarë largohen nga toponimet në Serbi dhe ju mund të besoni se njeriu flet pas 150 vjetësh… ”, thekson ai.

Sipas presidentit serb, dikush do ta detyrojë Serbinë të njohë Kosovën.

“Njerëzit në BE nuk besojnë në ato që po dëgjojnë. Burri është kthyer në shekullin e 19-të. Siç mund ta shihni, unë jam i shqetësuar, nuk e di se çfarë do të bëjmë”, tha ai më tej për Kurtin.

Sipas tij, Kurti është një njeri irracional.

“Është shumë e vështirë kur flet me njerëz irracionalë. Është shumë e vështirë. Ata nuk e kuptojnë që kishte krime nga të dy palët, ndërsa Serbia e kupton atë”, tha më tej Vuçiq.

Vuçiq po ashtu tha se këmbëngulte për të diskutuar Asociacionin e Komunave Serbe, por nuk kishte përgjigje nga Kurti.

Sot, në Bruksel është zhvilluar takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.