Vuçiq pas takimit me Kurtin: Serbia s’mund të hyjë në BE pa zgjidhur çështjet me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është deklaruar pas takimit të sotëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, pas sesionit të parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Slloveni.

Vuçiq nuk ka dhënë shumë detaje nga takimi, por ka shtuar se ia ka bërë Kurtit një pyetje, të cilën e ka kuptuar mirë edhe presidenti i Francës Emmanuel Macron, raportojnë mediat në Serbi.

“Unë fola me Macron për një kohë të gjatë, kam një përvojë pozitive… Macron kuptoi gjithçka, si edhe njërën nga pyetjet e mia që i bëra Kurtit”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa zgjidhur çështjet me Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me prezencën edhe të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Takimi i tyre u mbajt pas zhvillimeve të fundit rreth targave të automjeteve të Kosovës dhe Serbisë.