Vuçiq pas takimit me kancelarin gjerman: Beogradi do të bëjë të pamundurën për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të sotëm me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin, tha se Beogradi do të bëjë të pamundurën për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës.
Siç raporton Tanjug, Vuçiq në takim me nikoqirin gjerman ka premtuar se Serbia nuk do të jetë gjenerator i asnjë problemi në Bosnjë e Hercegovinë, kjo, sipas tij, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Vuçiq ka thënë se besonte se do të kenë fuqi për të përparuar në atë dialog, i cili, sipas tij, “nuk është i lehtë për ne dhe arsyet ia kam përcjellë kancelarit Scholz”.
Sipas presidentit serb, kancelari Scholz ka thënë vazhdimisht se është i bindur për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, “që është një premtim shumë pozitiv dhe i rëndësishëm për të gjithë në Ballkanin Perëndimor dhe, natyrisht, për Serbinë”.
Vuçiq tha se me kancelarin Scholz kanë biseduar edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, për situatën në Ukrainë dhe çështje të marrëdhënieve rajonale.