Vuçiq: Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”.

Madje ai ka thënë se serbët janë detyruar t’i ngrisin barrikadat.

“Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi ai në llogarinë e tij në Instagram.

Vuçiq shtoi se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë luftën për paqe me të gjitha mjetet ligjore.

Më 10 dhjetor pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullim pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimit me partitë politike ka vendosur të shtyjë për më 23 prill 2023 zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë dhe kuvendet komunale të 4 komunave të veriut.

Vendimin e kanë përshëndetur vendet e QUINT-it.