Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq: Nuk do ketë njohje për Kosovën

Presidenti i serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia nuk do ta njoh Kosovën.

“Folëm për të ardhmen e Serbisë dhe nuk do të ketë njohje për Kosovën”- është shprehur Vuçiq në një postim në Instagram.

Presidenti serb ka bërë të ditur se është takuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

“Aktualisht po flas me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe me këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Republikës së Francës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, Emanuel Bonn dhe Jens Pletner, gjithmonë të gatshëm për zgjidhje kompromisi në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Jo dorëzim! Rroftë Serbia”- ka shkruar ai.

Zyrtari gjerman dhe ai Francës erdhën edhe në Kosovë para vizitës në Beograd pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.