Foto: Zoran Zaev/ Instagram

Vuçiq nga Shkupi paralajmëron heqje të kufijve: Të kaluarën duhet ta lëmë mbrapa

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se e kaluara duhet lënë mbrapa dhe të shohin nga e ardhmja.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë sot në Shkup në kuadër të Forumit ekonomik për bashkëpunim rajonal, që më herët ishte prezantuar si “Mini-Shengeni Ballkanik”, kurse tash raportohet se do të mbajë emrin “Open Balkan”.

Presidenti serb shtoi se vitet e fundit ka pasur zhvillim të marrëdhënieve në rajon dhe është krijuar “besim i ndërsjellë”.

“Shqipëria dhe Serbia asnjëherë nuk kanë qenë në marrëdhënie aq të afërta. Ne kishim probleme të ndryshme, megjithatë vendosëm që nga fokusi kah e kaluara të kthehemi nga e ardhmja dhe të mendojmë për atë se duhet t`u lëmë diçka atyre që vijnë pas nesh- fëmijëve tanë. Nuk jemi as torollakë dhe as naivë të mendojmë që dikush do të punojë në favor të shteteve tona nëse ne nuk e bëjmë vetë këtë ”, theksoi ai.

Duke folur për idenë nga ky forum, presidenti serb paralajmëroi heqje të kontrollove në pikat kufitare më 2023.

“Një kusht është të ndërtojmë besim të ndërsjellë, tjetri kusht është që qeveritë tona mundem shpejt t’i realizojmë këto rezultate dhe nëse mund të bëjmë këtë më 1 janar 2023 ne nuk do të kemi më kufij mes vendeve tona. Natyrisht do t’i kemi kalimet kufitare, por nuk do të ekzistojnë për qytetarë tonë. Thjesht, nga Beogradi do të niseni  në Tiranë dhe askush nuk do të ju ndalë, nuk do të ju pyet asgjë dhe anasjelltas”, tha ai.

Vuçiq këtë ide e quajti historike për nga përmbajtja.