Pamje të kamerave të publikuara nga Aleksander Vuçiq- Screenshot/ AV

Vuçiq nga Beogradi ‘konfirmon’ se ka qasje se çka ndodh në veri të vendit, publikon pamje nga Mitrovica Veriore

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ditën e premte të javës së kaluar në një konferencë ‘konfirmoi’ se ka qasje në pamjet dhe ato çfarë ndodhin në veri të Kosovës.

Kjo pasi që i njëjti në një konferencë të thirrur për media, shfaqi disa pamje të rrugëve nën pretendimin se në Komunën e Mitrovicës Veriore kanë kaluar pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Deri sa po mbante konferencën dhe pretendonte se si është thyer marrëveshja që FSK të mos kalonte brenda zonës së veriut të vendit pa marrë një miratim paraprak nga NATO, Vuçiq publikoi edhe pamjet deri sa shihet se si kamerat në një qoshe të rrugës në afërsi të shkollës teknike në Lagjen e Boshnjakëve kishin kapur një veturë me ngjyrë të gjelbër e për të cilën i njëjti pretendon se i takon pjesëtarëve të FSK-së.

Vuçiq pretendon se këto pamje të kamerave janë të datës 5 maj, pra mëngjesin e së enjtes së javës së kaluar.

Pamje të kamerave të publikuara nga Aleksandar Vuçiq- Screenshot/ AV

Ai i ishte referuar një dokumenti se FSK nuk lejohet të kaloj në zonën e veriut të Kosovës pa marrë një miratim nga kryetarët e komunave serbe por edhe nga NATO.

“Këtu nuk kanë çfarë të kërkojnë, nuk kanë marrë pëlqimin e asnjërit prej kryetarëve të veriut. Ata hyjnë në Mitrovicën e Veriut nga jugu vetëm për të provokuar qytetarët, nuk u intereson se çfarë do të thotë NATO, sepse NATO-ja do ta tolerojë. Ata do të provokojnë një reagim serb dhe do të akuzojnë serbët për çdo incident”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve.

Në lidhje me pretendimet e Vuçiq për FSK-në, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga këto të fundit dhe deri në publikim të këtij shkrimi nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Pamjet që publikoi Vuçiq, shfaqin rrugën dhe njerëzit që kalojnë në atë zonë.

Ai me këto veprime tregoi se ka qasje në pamjet e kamerave të cilat janë të vendosura në veri të Kosovës, anipse ato mund të jenë edhe private.

KALLXO.com javë më parë publikoi dëshmi se në dhjetëra lokacione të ndryshme në katër komunat në veri të Kosovës janë vendosur kamera të cilat xhirojnë hapësirën prej 360 shkallë pra çdo lëvizje që ndodh në ato zona.

Kryetarët e tri komunave në veri të vendit kanë pranuar për ekipin e KALLXO.com që nuk i monitorojnë këto kamera të vendosura nëpër rrugë.

Pamje të kamerave të publikuara nga Aleksandar Vuçiq- Screenshot/ AV

Në anën tjetër Policia e Kosovës kishte dhënë arsyetim se të njëjtat janë jashtë funksionit dhe janë nën monitorim nga komunat.

Kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të vendit demantuan Policinë e Kosovës duke thënë se nuk kanë asnjë qasje në to.

Deri më sot KALLXO.com asnjëherë nuk ka pranuar informacione as nga Zyra e Kryeministrit e as nga Ministria e Punëve të Brendshme apo Prokuroria e Shtetit se çfarë po ndodh me kamerat e vendosura në veri të vendit të cilat xhirojnë çdo gjë që ndodh në atë zonë.

Një përgjigje për këtë çështje ekipet e KALLXO.com e kanë kërkuar në disa shkresa drejtuar organeve të sigurisë por edhe në konferenca të ndryshme.

Muajin e kaluar KALLXO.com kishte raportuar se si as Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk kishte kryer asnjë lloj inspektimi në zonën e veriut të Kosovës pas publikimit të hulumtimit për vendosjen e kamerave ilegale në veri të vendit.

 

Kamerat ilegale në veri të Kosovës – LIVE