Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq - www.lefigaro.fr

Vuçiq: Nëse me Kosovën nuk flasim për kufirin, atëherë s’kemi për çfarë të flasim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në bashkëbisedimin e tij me qytetarë në profilin e tij në “Facebook” është pyetur se për çfarë do të bisedojnë me përfaqësuesit e Prishtinës.

Vuçiq është pyetur edhe rreth deklaratës së ish-politikanit  kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, i cili citohet të ketë thënë që me Beogradin nuk bisedohet për integritetin territorial, kufirin, rregullimin e brendshëm dhe rregullimin kushtetues.

Lidhur me këtë, Vuçiq ka thënë se nëse në dialogun me Kosovën nuk diskutohen këto, atëherë ai nuk është i interesuar të flasë për ‘frizurën e Kurtit’.

“Nëse kjo është ashtu, atëherë nuk kemi për çfarë të bisedojmë. Me të vërtetë nuk e di për çfarë do të bisedonim. Nuk jam i interesuar të flas për frizurën e Vllasit, e as me frizurën e Kurtit nuk jam veçanërisht i fascinuar kështu që, i falënderoj për këtë”, ka thënë Vuqiç.

Presidenti serb ka deklaruar se me Kosovën nuk kanë përfunduar ende bisedat aq sa për të arritur vetëm deri tek njohja.

“Nëse propozimi i tyre është që të mos flasim për asgjë thelbësore, por vetëm për atë se si sa më shpejtë ta pranojmë pavarësinë e tyre ashtu që do t’iu kërkojmë falje për diçka, atë lloj bisedimi e kemi përfunduar”, ka thënë tutje Vuçiq.

Vuçiq u shpreh optimist se në Kosovë ka njerëz të kuptueshëm për të arritur kompromisin, sepse sipas tij shantazhi nuk kryen punë ndaj Serbisë.

“Mirëpo unë përsëri shpresoj që do të ketë njerëz më të kuptueshëm, njerëz racionalë të cilët e kuptojnë se është e rëndësishme që të bisedojmë, të përpiqemi të kërkojmë kompromis, por nëse këtë nuk e dëshirojnë, nëse mendojnë se në këtë mënyrë me shantazhe mund ta mundin Serbinë, janë mashtruar keq”, theksoi Vuçiq.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq normalizimin e marrëdhënieve më Kosovën.

“ShBA dhe Serbia kanë një vizion të përbashkët për vendin tuaj, bazuar në thellimin e bashkëpunimit rajonal, forcimin e institucioneve demokratike, zgjidhjen paqësore të dallimeve midis fqinjëve dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë për qytetarët serbë. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën duhet të mbetet përparësi në rrugën e integrimit evropian”, thuhet në letrën e Trump, raporton media serbe telegrafi.rs

Dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar, pasi që ish-kryeministri, Ramush Haradinaj vuri taksë ndaj produkteve serbe në fund të vitit 2018.