Aleksandar Vuçiq/ Foto: Tanjug/ Dimitrije Nikolic

Vuçiq: Ne vetëm mund të buzëqeshim me idenë e pretendimeve territoriale

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se nuk është i interesuar që në dialogun Kosovë-Serbi të bisedohet për shkëmbime territoriale.

Tutje, Vuçiq theksoi se edhe njohja e Kosovës nga Serbia është një ultimatum.

“Ne jemi të gatshëm të flasim, por ultimatume nga Prishtina, të cilat i dëgjoni çdo ditë se kushti i vetëm është njohja e Kosovës nga Serbia ose të kenë dëshira të tjera dhe pretendime territoriale, thjesht mund të buzëqeshim sepse nuk mund të tregojmë arrogancë ndaj vendeve të mëdha”, ka deklaruar ai para gazetarëve, raporton b92.

Dje, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media deklaroi se pas heqjes së reciprocitet ndaj produkteve serbe, Kosova është e gatshme që të kthehet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.

Dialogu Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është pezulluar, që nga koha kur ish kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj vuri tarifën 100% kundër mallrave serbe, në nëntor të 2018-tës.