Vuçiq në takim me Sorensenin e akuzon Kosovën për “pengesa të vazhdueshme në Dialog"

  1. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, më 25.03.2025, është takuar në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Vuçiq ka thënë se takimi i tij i parë me të dërguarin e ri për Dialogun ishte “i hapur dhe i drejtë”.

“Unë shpreha shqetësim të veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët në Kosovë, për shkak të lëvizjeve të shumta përshkallëzuese, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës.” – ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Vuçiq e akuzoi Kosovën se po bën “pengesa të vazhdueshme në procesin e Dialogut”.

“Gjithashtu theksova pengesat e vazhdueshme që Prishtina po i bën në procesin e Dialogut dhe ritheksova se formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, pas 12 vjetësh refuzim të Prishtinës për ta përmbushur atë obligim, është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve.” – ka thënë ai.

Ndërsa ka thënë se ka pritshmërinë që BE-ja do të rrisë angazhimin e saj për të ruajtur besueshmërinë e Dialogut dhe për të ruajtur një rol të paanshëm në këtë proces.

“Përsërita qëndrimin e Serbisë se vetëm Dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet e kompromisit mund të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë ai.

Javën e kaluar, Sorensen zhvilloi vizitën e tij të parë në Kosovë që nga marrja e detyrës dhe u takua me udhëheqësit institucional dhe me përfaqësuesit e opozitës.

Emisari europian kishte thënë se prioritet për të është që të sigurojë takime mes të dy shteteve.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo u takon palëve për ta përcaktuar.” – ishte shprehur Sorensen.

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit kishte deklaruar se draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i përpiluar nga Bashkimi Europian, “nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, as me normat dhe vlerat e BE-së e të Këshillit të Europës dhe as nuk është në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese – lidhur me Asociacionin”.

Më 18.03.2025, shënohen dy vjet që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike, që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër të tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës – përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 Nene, ndër të tjera, parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha Marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë Dialogut.