Vuçiq në Bratisllavë, raportohet se do të takohet edhe me Lajçakun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së sotme do të marrë pjesë në Forumin Vjetor “GLOBSEC 2022”, i cili po mbahet në Bratisllavë të Sllovakisë.

Mediumi online serb B92, ka raportuar se Vuçiq do ta zgjas qëndrimin atje deri më 4 qershor dhe do të takohet edhe me disa personalitete të ndryshme.

Vuçiq do të ketë takime të veçanta me nënkryetarin e Komisionit Evropian për Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Parashikime Strategjike, Maros Sefcovic, të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe raportuesin e Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçiq.

Pas takimit me Sefcovic, Vuçiq ka thënë se me të kishin biseduar në lidhje me fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemeve energjetike në situatën aktuale si dhe menaxhimin e lëndëve të para nga Serbia brenda Bashkimit Evropian.

“Një nga temat ishte edhe projektet e përbashkëta që Serbia duhet të punoj së bashku me BE-në”, ka thënë Vuçiq.

Fokusi i Forumit “GLOBSEC 2022”, i cili po mbahet në kryeqytetin sllovak është mobilizimi, mbështetja dhe veprimet për Ukrainën dhe fqinjësinë evropiane, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.