
Vuçiq mohon se kanë të bëjnë me shpërthimin në Ibër-Lepenc
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se Serbia nuk ka lidhje me sulmin në kanalin Ibër-Lepenc në komunën e Zubin Potokut dhe se nuk ka ndërmend t’ia arsyetojë askujt, raporton media serbe Nova.rs.
“Çfarë duhet të bëj që të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat e botës, t’u kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë, nëse do ta interpretojnë si të duan” – citohet të ketë thënë ai.
Vuçiq tha se shteti i Serbisë nuk ka lidhje me shpërthimin, dhe se sipas tij një gjë të tillë “e di edhe Prishtina”.
“Çfarë mendoni, pse nuk nxitova në orën 6 të mëngjesit të them se Serbia nuk ka të bëjë asgjë me shpërthimin në Ibër-Lepenc. E dini, nëse do ta bënim atë nuk do të kishim nevojë për asnjë lloj terrorizmi”- iu ka thënë Vuçiq, të rinjve nga Partia Përparimtare Serbe me të cilët foli në komunën e Starigradit.
Kryeministri Albin Kurti drejtoi gishtin kah Serbia për këtë sulm duke thënë se indikacionet e para sugjerojnë se ai është orkestruar nga shteti serb, “i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist” që ka për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës me qëllim që Kosova të mbes pa rrymë e ujë.
“Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar ta dëmtoj infrastrukturën tonë kritike mbase edhe më të rëndësishmen që kemi, dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë” – tha kryeministri Albin Kurti në konferencë të jashtëzakonshme për media pak para mesnatës së 29 nëntorit.
Kryeministri Kurti ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me sulmin terrorist të mbrëmshëm në Zubin Potok.
Në orët e para të mëngjesit kanë nisur bastisjet në disa lokacione lidhur me sulmin në kanalin e Ibër Lepencit.
“Policia po i zhvillon hetimet. Ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës Demokratike të Kosovës” – ka thënë Kurti nga vendi i ngjarjes.
Kurti shtoi se nga çfarë ka parë në vendngjarje, nuk ka mundësi që sulmi të jetë bërë nga një a dy individë, por nga një organizatë profesioniste.
“Ky ishte sulmi i tretë, kishte edhe dy sulme të tjera në 72 orët e fundit. Këto sulme janë kryer nga profesionistë. Unë e pashë në vendin e ngjarjes, nuk ka mundësi këtë ta bëjë një individ apo dy, nuk ka mundësi që këtë ta bëjë qytetarë të zakonshëm, e ka bërë një organizatë që është e profesioniste në sulmet të tilla profesioniste dhe aftësinë, kapacitetin dhe interesin për një gjë të tillë e ka veç Serbia” – tha ai.
Shefi i Qeverisë ka bërë sërish ndërlidhjen e këtij sulmi me sulmet ruse në Ukrainë duke thënë se gjatë kësaj jave ka pasur sulme të mëdha me mbi 200 raketa në në infrastrukturën kritike, vecanërsiht në kapacitetet energjetike në Ukrainë.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian, Turqia, Italia, Gjermani e Franca.
Ky shpërthim ka shkaktuar probleme në furnizim me ujë dhe rrymë në Kosovë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Kryeshefi i Ibër Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.