Aleksander Vuçiq, Johannes Hahn dhe Miroslav Lajcak - Foto: BETA

Vuçiq: Mirosllav Lajçak javën e ardhshme në Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi javën e ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Beograd.

Në një adresim, Vuçiq ka theksuar se në takimin e partisë së tij u fol edhe për vizitën që do të realizojë javën e ardhshme Lajçak.

“Do të flasim për atë që Serbia mund të bëjë, për atë që nuk mund të bëjë, për atë që dëshiron dhe për atë që nuk na shkon në mend me asnjë kusht”, tha Vuçiq, raporton REL.

Nuk dihet nëse emisari i BE-së do të vizitojë edhe Kosovën.

Në anën tjetër, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti partia e të cilit i ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, ka deklaruar se procesi i negociatave me palën serbe, nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të qeverisë së tij.

“Nuk do ta kemi prioritet formimin e ekipit të dialogut me Serbinë. Ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik, dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë, ne ju përgjigjemi atyre. Prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, tha Kurti në konferencë për media, më 14 shkurt, pas mbylljes së vendvotimeve.