Vuçiq me Vulinin, Gjuriqin dhe Petkoviqin, kërkojnë që sot ta vizitojnë Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë kërkesë që ta vizitojë sot Kosovën, i shoqëruar nga dy prej ‘njerëzve problematik’ të tij në raport me Kosovën, ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriq si dhe Shefin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, raporton RTK

Siç raporton RTK bazuar në burime të saj, bëhet e ditur se kërkesa është bërë përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, ashtu siç parashihet në marrëveshjen e Brukselit për vizita të tilla. Vuçiq ka kërkuar që Kosova t’i sigurojë ekipit të tij eskortë policore për përcjellje gjatë qëndrimit në Kosovë, e po ashtu edhe t’ua lejojë mbajtjen e armëve gjatë kësaj vizite.

Ende është e paqartë nëse Vuçiqit do t’i lejohet kjo vizitë në Kosovë, pas zhvillimeve të fundit politike, deklaratave të tij me të cilat kërcënoi rajonin me luftë e sidomos pas zbulimit të varrezës masive, në afërsi të Rashkës në Serbi, me trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe në Kosovë. RTK raporton se ka tentuar të marrë një përgjigje nga institucionet në lidhje me këtë kërkesë, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare./RTK/