Vuçiq mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, do të diskutohet edhe mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë ditës së sotme ka thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Mbledhja sipas Euronews Serbia, do të mbahet nga ora 12 ndërsa do të diskutohen disa tema të ndryshme.

Sipas Euronews Serbia, njëra nga temat që do të diskutohen në Këshillin e Sigurisë është edhe ajo për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi me datë 3 prill.

Këto zgjedhje u kërkua që të mbahen edhe në Kosovë në komunat me shumicë serbe.

“Anëtarët e atij trupi do të diskutojnë për temat aktuale që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë, por edhe për ngjarjet në Kosovë lidhur me zgjedhjet, si dhe furnizimet me energji dhe ushqime bazë, të cilat janë në fokus edhe për shkak të luftës në tokën evropiane”, thuhet në shkrimin e Euronews Serbia.

Vuçiq siç raporton Euronews Serbia, gjatë ditës së djeshme ka thënë se Prishtina dhe Podgorica do të marrin përgjigje nga Beogradi për ndalimin e votimit për zgjedhjet e 3 prillit.

Ai ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga Beogradi njohjen e Kosovës së pavarur, për të organizuar zgjedhjet në territor të Kosovës.

Vuçiq siç raporton EN Serbia, ka thënë se përgjigja ndaj tyre do të ishte me “pasoja të gjera”.

Sipas Vuçiq, Serbia po përballet me një periudhë të vështirë.

 

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, Kurti: Nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit