Foto: REL

Vuçiq: Linja ajrore Prishtinë-Beograd bashkon njerëzit e Ballkanit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka mirëpritur hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Vuçiq në Twitter ka shënuar se kjo është një nismë që i bashkon njerëzit e Ballkanit.

“I jemi mirënjohës Ambasadorit Richard Grenell dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Sh.B.A-së Robert O’Brien për rolin e tyre kritik në ndihmën për të krijuar fluturime të drejtpërdrejta ndërmjet Beogradit  dhe Prishtinës. Serbia është e gatshme të ndjekë më shumë nisma të tilla, duke i afruar njerëzit në Ballkan”, ka shkruar ai.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mirëpritur iniciativën për formimin e një linje ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kurse presidenti amerikan Donald Trump ia ka kushtuar disa fjalë në llogarinë e tij në twitter. Trump këtë e ka quajtur ‘një tjetër fitore’.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur qëllimin e dy linjave ajrore Euroëings dhe Grupit Lufthansa për të vendosur linje direkte mes Beogradit dhe Prishtinës, të nënshkruar dje në Berlin të Gjermanisë.

Kosova dhe Serbia i kanë ndërprerë bisedime për normalizim të marrëdhënieve pasi që Kosova i vuri taksën ndaj produkteve serbe në vitin 2018.