Stacioni i autobusëve në Mitrovicën Veriore, Foto: KALLXO.com/ Ilustrim

Vuçiq kontrakton kompani kosovare për transportin e serbëve të Kosovës për tubimin e tij

Serbë të veriut të Kosovës pritet që në mënyrë të organizuar të nisen për në Serbi për të marrë pjesë në tubimin që nesër do ta mbajë presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Qytetarët e komunitetit serb të Kosovës pritet që të transportohen edhe nga kompani kosovare.

KALLXO.com ka kontaktuar disa prej këtyre kompanive që mund të kryejnë transportin por ato nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Siç mëson KALLXO.com grumbullimi i qytetarëve në pjesën e katër komunave me shumicë serbe do të nisë sonte në mesnatë ndërsa pas mesnate dhe në mëngjes me autobusë do të nisen drejt Serbisë.

Tutje siç mëson KALLXO.com transporti i qytetarëve të cilët jetojnë në qytete të ndryshme të Kosovës do të bëhet pa pagesë, në mënyrë të organizuar dhe me lista.

Këta qytetarë pritet të marrin pjesë në tubimin e caktuar për nesër nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Gjatë ditës së sotme, partia që udhëheq Vuçiq, Partia Përparimtare Serbe (SNS), ka publikuar një video në të cilën shihet edhe kryetari i saj.

“Përgatitjet e fundit për tubimin e madh të “Serbia e shpresës”. Ftojmë të gjithë njerëzit e mirë, që duan përparimin e Serbisë sonë, të vijnë më 26 maj para kuvendit në orën 19:00, të luftojmë së bashku për të ardhmen e Serbisë”- thuhet në njoftimin e SNS.