Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq: Kemi vëzhguar e përgjuar çka ka bërë policia shqiptare, dyshohet se edhe i katërti person është vrarë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media është deklaruar në lidhje me incidentin që ka ndodhur sot në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

Vuçiq ka thënë se është konfirmuar që tre persona janë vrarë, dy nga snajperi dhe shtoi se dyshohet edhe për të katërtin.

“Konfirmohet se janë vrarë tre nga Kosova, dy nga snajperi me siguri, dy të plagosur rëndë dhe dyshohet se i katërti është vrarë. Kemi përcjellë e vëzhguar, përgjuar se çka ka bërë policia shqiptare, dëshmitë do t`i shihni ndoshta gjatë konferencës”- ka deklaruar Vuçiq.

“Njëri ka humbur jetën se nuk kanë dashur t`i ndihmojnë, policia dëgjohet duke qeshur dhe duke thënë lëreni të vdesë, kemi incizime për këtë. Punë jo profesionale të njerëzve profesional nën thonjëza”- shton ai.

Presidenti serb tha se Policia e Kosovës ka përdorur snajperë dhe kanë goditur shtëpitë private ku nuk ishte askush.

“Kanë përdorur snajperë dhe kanë goditur edhe shtëpitë private siç shihet këtu ku nuk ishte askush, as pleqtë, përndryshe pse këta persona kanë ardhur te Banjska. Kemi hulumtuar këtë. Kishin dy të plagosur kanë dashur të merrni ndihmë në manastir, kisha nuk ju ka ndihmuar, nuk ka pas nga ana tyre”- tha Vuçiq.

Vuçiq e ka quajtur “rrenë e kulluar” raportimet se ishin marrë peng besimtarët dhe priftërinjtë.

“Ja me çfarë jemi ballafaquar sot, disa publikime të vrasjes për Pavle Bijatan, Bihali dhe ky person nuk ka lidhje me askënd po ashtu edhe Radomir Çpocuca, i cili nuk është afër Kosovës, pastaj për obrazin edhe kjo gënjeshtër, pastaj informata se peng ishin besimtarët e priftërinjtë një tjetër rrenë e kulluar”- ka deklaruar Vuçiq.

Vuçiq tha se është raportuar se ka elemente të grupit Wagner, por që sipas tij këto kanë qenë gënjeshtra dhe qëllimi i tyre ishte “të fajësohej Beogradi”.

“Posta shqiptare kishte thënë se ka elemente Wagner, Specnaz, etj., kanë treguar një foto nga Nagorno Karabah duke u krenuar për vrasje nuk kishte rëndësi sa dhe si do të gënjejnë vetëm se qëllimi ishte të fajësohej Beogradi dhe se kanë të gjithë të drejtën të maltretojnë qytetarët e Kosovës”- tha mes tjerash Vuçiq.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

Zhvillimet pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit