Vuçiq: Kam parë përkushtimin dhe seriozitetin e amerikanëve për jetësimin e Asociacionit

(Lajm në vazhdim)

Presidenti serb ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Për Asociacionin, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të jetë një OJQ dhe se do ta ketë mbështetjen financiare të Qeverisë së Serbisë.

Tutje, Vuçiq tha se ka parë përkushtimin dhe seriozitetin e amerikanëve në jetësimin e Asociacionit, prandaj pret që statuti i tij të marrë formën deri në fund të muajit.

“Kompromisi i Kosovës për pranimin dhe formimin e Asociacionit kanë marrë liberalizimin e vizave, njohjen e dokumentave të tyre dhe do të kenë anëtarësim në organizatë nderkombëtare” – ka theksuar ai.

20:58

Vuçiq: Ndërmjetësuesit më kanë thënë se nuk mund ta pengojmë anëtarësimin e Kosovës në disa organizata, ma kanë përmendur NATO-n

Në fjalimin e tij drejtuar popullit serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se duhet të punojnë me ndërmjetësuesit evropianë dhe që me shqiptarët (Kosovën) të arrihet një marrëveshje për forcimin e lirisë së lëvizjes, për tregtinë e lirë, çështjen e dokumenteve dhe tabelave.

Tutje, Vuçiq ka treguar se ajo që diplomatët perëndimorë i kanë thënë është se nuk do të mundet Serbia të ndalojë anëtarësimin e Kosovës në disa organizata. “Madje, ma kanë përmendur edhe anëtarësimin në NATO” – ka theksuar ai.

“Do të na duhet në ndërkohë që të punojmë të ngrisim mirëbesimin me shqiptarët” – ka thënë Vuçiq.

20:45

Vuçiq: Për planin e ri më është thënë: Duhet ta pranoni!

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka folur rreth planit franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se zyrtarët evropianë dhe amerikanë kanë ardhur me planin e ri. “Faktikisht kanë ardhur me kornizën e re të negociatave” – ka theksuar ai.

“Ky plan nuk thotë në mënyrë eksplicite njohjen e subjektivitetit të Kosovës por përfshin disa përgjegjësi” – shtoi ai, duke theksuar se pala serbe nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë plan.

“Plani ka ardhur dhe është prezantuar para nesh që të pranohet. Ende nuk kemi asgjë konkrete” – tha ai.

Tutje, presidenti serb sqaroi se 5-shja (pesë diplomatët evropianë e amerikanë) në fjalinë e dytë që i është kumtuar i është thënë se “duhet të pranoni” (planin).

Vuçiq theksoi se i është thënë se nëse Serbia nuk e pranon planin do të ballafaqohet me ndërprerje të negociatave për anëtarësim në BE, investimet dhe çdo marrëveshje ekonomike e politike me Evropën.

20:31

Vuçiq: Incidentet e Kurtit gati provokuan konflikt mes NATO-s dhe Serbisë

Në një paraqitje drejtuar kombit serb, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për tensionet e javëve dhe muajve të fundit në veri të Kosovës.

Sipas presidentit serb, incidentet e provokuara, sipas tij, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë provokuar konflikt që NATO të hyjë në konflikt me Serbinë.

“Për bashkësinë ndërkombëtare nuk kanë qenë problem provokimet e shkaktuara nga Kurti por ne jemi fajtorë për vendosjen e barrikadave” – ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, barrikadat në veri të Kosovës janë vendosur si përgjigje ndaj shkeljes së të drejtave të serbëve, duke filluar me moslejimin e referendumit serb në Kosovë.