Vuçiq: Jemi të gatshëm të punojmë me Kosovën në iniciativën ‘Ballkani i Hapur’

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, gjatë konferencës në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, u pyet se nëse Kosova pranon të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, a do ta lejojnë të bëhet pjesë e tryezës së bisedimeve me emrin dhe flamurin e saj.

Çështjet politike sipas presidentit serb, janë nën juridiksionin e dialogut në Bruksel, derisa tha se janë të gatshëm të punojnë në ‘Ballkanin e Hapur’ edhe me Kosovën.

“Nuk mendoj që është produktive për mua që t’i ftoj, por në qoftë se më pyesni dhe nëse do të kisha problem që ata të shfaqeshin apo në qoftë se do të zgjidhnim statusin e çështjes politike, kjo është nën juridiksionin e dialogut në Bruksel. Por sa u takon çështjeve ekonomike dhe lirive të lëvizjes se lirë jemi të gatshëm të punojmë se bashku në ‘Ballkanin e Hapur’”, tha ai duke shtuar se njerëzit që nuk e pranojnë këtë nismë do të humbasin kohë.

Vuçiç tha se Beogradi e Prishtina kanë pikëpamje të ndryshme por kjo nuk është arsye pse të mos flasin dhe mos të jetë pjesë e ‘Ballkanit të Hapur’.

“Ne mund të përmendim në pikat e kalimit kufitar në Jarinje dhe midis Kosovës e Serbisë apo drejt Luginës së Preshevës ose Serbisë Qendrore. A do të jetë më lehtë për shqiptarët e serbët mos të ketë kufij ose radhë që njerëzit të mund të lëviznin lirisht. Nuk besoj që ka njeri në Prishtinë, Mitrovicë Beograd e Tiranë që nuk do të binin dakord”, tha ai.

“Nuk ka nevojë t’i lutemi askujt sepse ka vetëm përfitime nga kjo nismë”, përfundoi Vuçiq.

Gjatë ditës së sotme në Shqipëri janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh në kuadër të iniciativës Ballkani i Hapur.

Nga ky takim është bërë ftesë e hapur për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën që ti bashkohen kësaj iniciative.

Nënshkruhen disa marrëveshje mes vendeve të ‘Ballkanit të Hapur’, ftesë e hapur për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën