Vuçiq i reagon ambasadorit britanik për fotografinë me Albin Kurtin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar lidhur me një fotografi të ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott bashkë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendose, Albin Kurti në hapësirat e selisë së kësaj partie.

Vuçiq në Twitter  e ka pyetur ambasadorin Abbott se i cilit shtet është flamuri para të cilit ky i fundit është fotografuar me Kurtin, pasi në pamje  duket flamuri i Shqipërisë.

“Pyetje për ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë: në cilat zgjedhje ka fituar Kurti dhe partia e tij dhe i cilit shtet është flamuri para të cilit, Shkëlqësia Juaj, jeni fotografuar me Kurtin? Do t’ju pyes derisa ta marr një përgjigje”, ka shkruar presidenti serb.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Foto: VV

Lëvizja Vetëvendosje me 14 tetor 2019, në Facebook kishte njoftuar për vizitën e ambasadorit britanik në Kosovë, Nicholas Abbott në VV ku kishte takuar liderin e VV-së Albin Kurti dhe anëtaren e Kryesisë së partisë, Fitore Pacolli.

“Z. Nicholas Abbott e uroi Kryetarin Kurti për suksesin zgjedhor. Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do ta vazhdojë përkrahjen për Republikën e Kosovës. Përveç luftimit të korrupsionit, nevojitet edhe përqendrimi i mëtejshëm edhe në krijimin e kushteve të reja për investime dhe mundësi për të rinjtë në vend”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Ndërkaq, siç thuhet në njoftim, Kurti e ka falënderuar ambasadorin Abbott për përkrahjen e deritanishme të Mbretërisë së Bashkuar dhe “shprehu bindjen se me qeverinë e re bashkëpunimi mes dy vendeve tona vetëm sa do të thellohet”.

“Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin se prioritet i qeverisë së re do të jetë zvogëlimi i pushtetit për forcim të shtetit, drejtësia institucionale e ligjore dhe zhvillimi ekonomik e punësimi. Sa i përket procesit zgjedhor, ai tha se nevojitet adresimi i parregullsive dhe shkeljeve që e përcollën atë në komunat me shumicë serbe si dhe fillimi i dialogut nga poshtë me serbët lokal që jetojnë në Kosovë”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e VV-së në Facebook.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje janë kritikuar për mosrespektim  të simboleve të shtetit të Kosovës, përfshirë flamurin dhe himnin e shtetit.

Vetëvendosje në hapësirat e selisë së saj, ka të ekspozuar flamurin kombëtar.