Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Foto nga arkivi.

Vuçiq i përgjigjet kancelarit gjerman për njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu është përgjigjur kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili i ka thënë Vuçiqit se pret që Serbia ta njohë Kosovën.

Përgjigjja e Vuçiq ishte e shkurtë “Edhe unë i kam thënë atij se ne nuk e presim këtë”.

Scholz, kishte thënë se pa e njohur njëra-tjetrën si shtete të pavarura Kosova dhe Serbia nuk mund të hyjnë në Bashkim Evropian.

Para disa ditësh, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për energjinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimeve të 21 qershorit ishte arritur pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes për energji dhe përgatitjet për një takim në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kosova e Serbia gjithashtu edhe gjatë vitit të kaluar kanë arritur edhe një marrëveshje rreth çështjes së targave të veturave.

Sipas kësaj marrëveshje të arritur më shtator të vitit 2021,  nga 4 tetori,  ishte parapa të filloj përdorimi i stikerave/afisheve në vetura.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës ishte dëshirë e Bashkimit Evropian (BE) por jo e Serbisë.

Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ishte si reagim ndaj raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, ku për herë të parë shkruhet shprehimisht pritshmëria e BE-së për “njohje reciproke” mes Serbisë dhe Kosovës.

Vuçiq: Njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës është dëshirë e BE-së, jo e Serbisë