Foto: REL

Vuçiq- Grenellit: Nuk ka paralele të njëjtë mes taksës dhe njohjeve

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq në konferencën e përbashkët me të dërguarin e presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se nuk e pranon një raport të barabartë ndërmjet heqjes së taksës dhe tërheqjes së njohjeve ndaj Kosovës.

“Do të jem i hapur me ju, nuk mund të tërheqim një paralele të njëjtë me heqjen e taksës dhe tërheqjen e njohjeve, siç e dini ne kemi një këndvështrim tjetër për pavarësinë e Kosovës për dallim nga SHBA dhe Prishtina, ata kërkojnë njohjen por ne nuk e pranojmë. Ndërsa sa i përket taksës është një taksë e vendosur pa arsye” ka thënë Vuçiq duke shtuar se do të vazhdohet me bisedime për të parë se çfarë do të ndodhë tutje.

Vuçiq ka shtuar se me ambasadorin Grenell kanë biseduar edhe për projektet në infrastrukturë, si dhe për linjën Beograd – Prishtinë, proces ky i cili sipas tij, përfshin disa hap.

“Unë nuk e kam fshehur faktin as para Grenell që  biznesi dhe tregtia me shqiptarët është e rëndësishme për ne, por edhe për serbët që jetojnë atje, andaj kërkojmë një infrastrukturë të zhvilluar që të zhvillojmë edhe marrëdhëniet tregtar” ka sqaruar Vuçiq.

Presidenti serb, mes tjerash i ka bërë ftesë të hapur edhe presidentit Trump që ta vizitojë Serbinë.

“Askund në Evropë presidenti Trump nuk do të ketë një mikpritje ashtu siç do ta ketë këtu në Serbi, dhe për këtë ju garantoj unë personalisht”, është zotuar Vuçiq.

Kurse, Grenell sikurse në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd ka kërkuar që të hiqet taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe, si dhe Serbia ta ndalë fushatën kundër njohjeve ndaj Kosovës.