Varr masiv në minierën Kizevak, Rashkë. Foto: Marko Risovic

Vuçiq flet për gjetjen e dy mbetjeve mortore të shqiptarëve në varrezën masive të Kizhevakut

Në fund të muajit maj, në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ishte përmbyllur procesi i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, në Kizhevak të Rashkës në Serbi.

Në këto gërmime, institucionet e Kosovës kishin konfirmuar se kanë gjetur dy mbetje mortore që u takojnë shqiptarëve të vrarë nga lufta e fundit në Kosovë.

Në lidhje me këtë ka folur sot edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai në një konferencë për media tha se Serbia nuk ka fshehur asgjë, duke përmendur kështu gjetjen e mbetjeve mortore.

“Ne gjetëm trupa të dyshuar shqiptarësh të Kosovës në katër nga 21 vendet – nuk kemi fshehur asgjë”, tha Vuçiq sot.

“Lokacioni i fundit është Kizevaku dhe aty u gjetën mbetjet mortore të 11 trupave, dy trupa u kontrolluan, analiza e ADN-së zbuloi se ata ishin shqiptarë të Kosovës dhe ne informuam si shqiptarët e Kosovës ashtu edhe komunitetin ndërkombëtar në mënyrë që të mund të lajmëroheshin familjet e tyre”, tha Vuçiq në konferencë për media.

Mirëpo, institucionet në Kosovë dhe organizatat që merren me personat e pagjetur thonë se që nga viti 1999 të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe mbi 1,600 persona, përfshi këtu edhe serbë të vrarë gjatë luftës së fundit.

Varri masiv në minierën e hapur në Kizevak u zbulua në nëntor pasi pamjet ajrore treguan se ku mund të ishin varrosur trupat. Vendi afër qytetit të Rashkës nuk është larg gurores së Rudnicës, ku në vitin 2013 u gjet një varr masiv që përmbante eshtrat e 52 shqiptarëve të Kosovës që u vranë në luftën 1998-1999.

Shënim: Ky artikull është edituar tek pjesa ku flitet për deklaratën e presidentit serb.