Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq flet për Dejan Pantiqin, i arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për terrorizëm

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka folur për Dejan Pantiqin, ish-polic i Kosovës, i arrestuar sot nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kryerje të veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

Sipas ministrit Xhelal Sveçla, Pantiq “sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor”.

Në lidhje me arrestimin e Pantiqit sonte ka folur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Siç ka njoftuar agjencia serbe e lajmeve Tanjug, Vuçiq ka treguar se sot ka biseduar me gruan e Pantiqit dhe se e ka kuptuar se ai po mbahet në bazën e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës afër Leposaviqit.

“Kam biseduar me gruan e të arrestuarit Dejan Pantiq, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe ua kam vënë në dukje pamaturinë absolute të atyre që e kanë kryer atë aksion, ai është ende në bazën e ndërtuar ilegalisht të policisë së Kosovës afër Leposaviqit” – ka thënë Vuçiq.

Pas njoftimit për arrestimin e Pantiqit, serbët e veriut kanë ndezur alarmet, të cilat zakonisht janë thirrje për t’u grumbulluar qytetarët.

Pas alarmit, që është lëshuar në qytetet në veriut, qytetarë të shumë janë mbledhur në rrugët kryesore të veriut, të cilat i kanë bllokuar me automjete e mjete të rënda.

Si rezultat i këtyre barrikadave, Policia e Kosovës ka njoftuar për mbylljen për qarkullim të pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinjë.

Pantiq është arrestuar për incidentet e 6 dhjetorit në veri, ku ka pasur gjuajtje me granata dore dhe armë zjarri ndaj zyreve dhe zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ndaj pjesëtarëve të Policisë.