Vuçiq flet për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës: Lojë e vendeve kryesore perëndimore

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ‘zbutur’ qëndrimin e tij për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai sot tha se Serbia do ta kundërshtojë këtë çështje në mënyrë paqësorë, ndërsa ditë më parë deklaroi se “Serbia do t’i tregojë dhëmbët”.

Sipas tij, Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe Rezolutën 1244.

“Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe pas dhjetë vitesh nëpërkëmbje të Marrëveshjes së Brukselit, kanë shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe Rezolutën 1244”, tha Vuçiq sot, raporton media serbe ‘Blic’.

Vuçiq shtoi se Serbia nuk do të reagojë me urrejtje, derisa paraqiti qëndrimin e tij se pas aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës janë vendet kryesore perëndimore.

“Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje, psikozë dhe të shtypim përgjigjen. Për këtë kam caktuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Është e qartë se vendet kryesore perëndimore po udhëheqin këtë lojë. Ne jemi një vend i vogël, do të përpiqemi t’i kundërshtojmë në mënyrë paqësore”, tha Vuçiq.

Presidenti serb shtoi se Kosova ka mbështetjen e SHBA-së për këtë çështje.

“Nuk është e gjitha, ata kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të hyrë në një partneritet për paqen. Kjo është një nga mënyrat që pesë anëtarë të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe ka shumë presion që Serbia të bëjë të njëjtën gjë”, shtoi më tej Vuçiq.

Sot, Qeveria e Kosovës zyrtarisht nisi procedurat për aplikim në Këshillin e Evropës. Vendimi i miratuar sot nga qeveria e Kosovës, obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.