Vuçiq falënderon Palestinën për mosnjohjen e Kosovës

Pas takimit me Presidentin Serb Aleksandar Vuçiq, Ambasadori i Palestinës në Beograd, Mohamed Nabhan, ka thënë se miqësia e midis Serbisë dhe Palestinës nuk mund të tronditej dhe theksoi se keqkuptimet që rezultuan nga takimet në Shtëpinë e Bardhë ishin kapërcyer.

Ambasadori Mohamed Nabhan ka deklaruar se keqkuptimi ishte zgjidhur. “Ajo që ishte në Uashington ka mbaruar tani, ne duhet ta kapërcejmë atë dhe ka mbaruar,” tha Ambasadori Nabhan raporton RTS.

Gjithashtu në takimin e sotëm me Vuçiqin, ambasadori Nabhan tha se diskutuan për miqësinë ndërmjet Palestinës dhe Serbisë, “Ne diskutuam për zhvillimin e miqësisë në mes dy shteteve tona, dhe në të ardhëm do të ketë një intensitet më të madh”, tha Nabhan duke shtuar se ata diskutuan edhe për çështjen e situatës në Lindjen e Mesme.

Ambasadori palestinez gjithashtu ka shtuar se Vuçiq ka përshëndetur popullin dhe Presidentin Palestinez, dhe ka dhënë siguri se Serbia do të jetë në mbështetje të popullit palestinez dhe përpjekjet e tyre për të fituar një shtet të pavarur, ka përfunduar ambasadori palestinez në Beograd pas takimit me Vuçiq.

“Serbia është e përkushtuar ndaj përparimit të marrëdhënieve edhe me Izraelin, edhe me palestinezët dhe dëshiron zgjidhje të qëndrueshme, të bazuar në normat ndërkombëtare të së drejtës publike, që janë vendosur në Kombet e Bashkuara dhe që do të sillnin paqe, stabilitet dhe përparim për të gjithë”, tha Vuçiq.

“Presidenti Vuçiq e falënderoi udhëheqjen palestineze për mbështetjen e saj politike për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë dhe për qëndrimin e saj parimor ndaj mosnjohjes së pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”, thuhet po ashtu në komunikatën e Presidencës serbe.