Vuçiq e anulon vizitën në Mal të Zi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka bërë të ditur se e ka anuluar vizitën e tij në Mal të Zi.

“E mora atë vendim sepse jam i sigurt se do të ketë konflikte dhe jo sepse kam frikë, por sepse disa do ta përdorin atë për të dëmtuar popullin serb. Nuk do të shkoj, nuk ju jap mundësinë të akuzoni Serbinë”, ka thënë Vuçiq për media sot, pas takimit me patriarkun Irinej.

Ai shtoi se patriarku mbështeti vendimin e tij.

Bëhet e ditur se Irinej do të takohet sot në Beograd edhe me peshkopët e Malit të Zi Amfilohije, Joanikije dhe Dimitrije.

Këtë javë, serbët janë akuzuar për kërcënim të paqes në Malin e Zi dhe në rajon.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se dhjetëra zyrtarë dhe ish-zyrtarë të mirënjohur, akademikë dhe figura të kulturës në Ballkan, i janë bashkuar një peticioni online, duke paralajmëruar për “kërcënim të paqes” së rajonit nga ana e Beogradit, pas reagimeve që janë parë pas miratimit të një ligji të ri për liritë fetare në Malin e Zi.

Ligji i miratuar javën e kaluar në Parlamentin e Malit të Zi për liritë fetare, ka nxitur shqetësime për marrje të pronës së kishës nga shteti, andaj ky dokument është kundërshtuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila ende ka pozicion udhëheqës në kishat ortodokse në Malin e Zi.

Ky ligj ka nxitur protesta të dhunshme në mesin e malazezëve pro-serbë, zemërim mes serbëve dhe përballje të ashpër fizike në Parlamentin e Serbisë, ku ligjvënësit kanë thënë se Qeveria serbë është duke bërë shumë pak për të mbrojtur Kishën Ortodokse Serbe në Malin e Zi.

Mali i Zi është pavarësuar nga Serbia në vitin 2006.