Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq: Do t’ju shkruaj letër të gjitha vendeve të BE-së, për deklaratat e Albin Kurtit për bashkim me Shqipërinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pas kthimit nga Soçi në Rusi, do të ju shkruaj një letër të gjitha shteteve të BE-së për siç ka thënë, “heshtjen e tyre”, pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, bërë në një intervistë për revistën online “Monocle”, tek ka thënë se në të ardhmen do të votonte për bashkim me Shqipërinë, vetëm nëse do të kishte një referendum paqësor dhe demokratik.

“Vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike. Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete, por kemi të njëjtën gjuhë dhe jemi një komb. Kur e deklaruam pavarësinë, e deklaruam kundër Serbisë dhe jo kundër Shqipërisë”, ka thënë Kurti në këtë intervistë.

Ndërsa Vuçiq duke thënë se është i gatshëm të bisedojë me palën kosovare për të gjitha gjërat dhe në të gjitha nivelet e sa më shumë dhe sa më shpesh të jetë e mundur, ka paralajmëruar se do t’ju shkruaj letër të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive për mosreagimin e tyre karshi deklarimit të Kurtit.

“Në të cilën do t’i lus dhe kërkojë shpjegim pse askush nuk reaguan kur Albin Kurti përmend bashkimin me Shqipërinë”, ka thënë ai, transmetojnë mediat në Serbi.

Letra do të përmbajë një pyetje të thjeshtë, ka thënë ai.

“A do të thotë se do të heshtni dhe nuk do të reagoni nëse dikush nga këtu flet për një bashkim me një vend tjetër? Sipas cilit parim u lejohet shqiptarëve ta bëjnë këtë, dhe sipas cilit u ndalohet serbëve”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia nuk do të ndjekë një politikë të tillë, sepse është e përkushtuar për respektimin e kufijve të njohur ndërkombëtarisht.