Vuçiq: Dialogu është në një fazë të çuditshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas dialogut Kosovë-Serbi, ka dhënë detaje nga takimi i djeshëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me ndërmjetësim të BE-së.

Vuçiq në deklarimin e tij për media tha se dialogu është në një fazë të çuditshme.

“E thashë këtë sepse mund të konfirmoj që ata që erdhën në emër të palës së Prishtinës donin të na detyronin të largoheshim nga biseda. Gjithçka që ata bënë, kërkuan dhe thanë në kuptimin që do të thoshte që ata donin të shmangnin dialogun,” tha ai.

Ai ka komentuar edhe propozimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të largojë Vleko Odaloviq nga komisioni për personat e zhdukur, që sipas tij ka qenë një kërkesë e paarsyeshme.

Vuçiq siç raporton media B92, po ashtu tha se krahasimi i Odaloviq me nazistin, Hermann Goring e ka bërë atë që të reagojë ashpër ndaj Kurtit.

“Ndoshta nuk duhet të kisha reaguar në atë mënyrë, mbase e fyeva Kurtin, por unë u përgjigja në një mënyrë më brutale dhe nuk mund të them se u pendova, isha i befasuar që dikush mund të përdorte një fjalor të tillë”, shtoi ai.

Presidenti serb po ashtu tha se Kurti i ka thënë 10 herë kur do ta njohësh Kosovën, dhe ai është përgjigjur të gjitha herët me “Kurrë”.

“Kurti e përsëriti rrëfimin dhjetë herë dhe se ai e përsëriti “kur”, dhe ai mori përgjigjen për atë – “Asnjëherë”. Unë mendoj se ai mendoi se ne duhet të pranonim atë që thanë ata”, shtoi më tej Vuçiq.

Dje, në Bruksel është zhvilluar rundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ky ishte takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Presidenti serb ka deklaruar se ka pasur biseda të ashpra më Kurtin, ndërsa ky i fundit tha se nga katër propozime për temat në dialog, tri i janë refuzuar.

Kurse, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një konferencë për media pas takimit Kosovë-Serbi, tha se takimi me kryeministrin, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk ishte i lehtë.

Vuçiq ka njoftuar se më 22 qershor do të raportoj në Kuvendin e Serbisë në lidhje me takimin e tij të parë me kryeministrin Albin Kurti në Bruksel.