Vuçiq: Absolutisht asnjë marrëveshje me Prishtinën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e tagave, nuk është arritur asnjë marrëveshje.

“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, ka thënë Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.

“Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia “do t’i qëndrojë pranë popullit serb” në Kosovë.

“Do t’i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të Lartë [evropian], Borrell. Ai ka kërkuar që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha presidenti serb ndërsa paralajmëroi se këtë javë do t’i drejtohet publikut serb./REL.

“Unë mendoj se sot është e qartë për të gjithë në BE dhe për të gjithë në botë se kush ishte konstruktiv dhe që dëshironte të ruante paqen dhe stabilitetin dhe kush jo. Kemi insistuar që të zbatohet ajo që është nënshkruar. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë në periudhën e ardhshme” – ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instragam.

Në Bruksel, pas disa orësh ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ende nuk është deklaruar për takimin mes presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimi u mbajt me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell.

Fillimisht, Borrell ka mbajtur takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Borrell mbrëmë ka thënë se është i nevojshëm de-përshkallëzimi i situatës dhe fillimi i avancimit drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje tha se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me Kurtin.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës dje njoftoi se gjobitja e pronarëve të mjeteve që qarkullojnë në Kosovë me targa ilegale do të fillojë më 22 nëntor dhe jo më 21 nëntor, ashtu siç parashihej në vendimin e 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës.