Ilustrim

Vritet roja i Ambasadës së Katarit në Francë, arrestohet një i dyshuar

Një roje sigurie në Ambasadën e Katarit në Paris është vrarë sot, me ç’rast është hapur një hetim për vrasje dhe është arrestuar një i dyshuar, raporton gazeta amerikane “The Washington Post”.

Sipas të përditshmes amerikane, rrethanat e vrasjes, duke përfshirë metodën e përdorur në këtë akt, nuk ishin menjëherë të qarta. Ndërkaq, nga zyra e prokurorit raportohet të jetë thënë se “Në këtë moment nuk është konfirmuar përdorimi i ndonjë arme”.

Në anën tjetër, është thënë se shtypi francez ka raportuar se viktima është vrarë rreth orës 7 të mëngjesit jashtë ambasadës në lagjen e 8-të të Parisit, dhe dyshohet se viktima është rrahur për vdekje.

“Disa media franceze raportuan se i dyshuari dukej të ishte mentalisht i paqëndrueshëm”, është thënë në lajmin e “The Washington Post” ku ndër të tjera është përmendur se Policia nuk ka pranuar të komentojë vrasjen.

Tutje, është bërë e ditur se akti terrorist është përjashtuar si motiv për sulm, pasi që në këtë rast nuk ka qenë i përfshirë prokurori special për rastet e terrorizmit.