Vritet një person në afërsi të Lipjanit, arrestohen dy persona

Mëngjesin e sotëm një burrë është vrarë me armë zjarri rreth orës 07:30 afër ish- QMI-së. I njëjti nuk ka arritur që t’i mbijetoj plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar dy persona të dyshuar dhe ka konfiskuar një armë që dyshohet të jetë përdorur në rast.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

Sipas Ahmetit policia ka marrë informacionin për një plagosje me armë zjarri në rrugën Prishtinë -Ferizaj.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Ajo shtoi se me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me plagosje nga arma e zjarrit ku është plagosur viktima A.S, i cili duke mos mundur t’i përballojë plagëve të mara nga arma e zjarrit ka vdekur.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, tha Ahmeti tutje.

Aktualisht hetuesit policorë, janë duke punuar për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili nga ana e Prokurorit të shtetit  është cilësuar si vrasje e rëndë.