Vritet nga një shpërthim në Moskë themeluesi i një batalioni që lufton në Ukrainë

Autoritetet ruse njoftuan se një shpërthim në një Kompleks banesor në Moskë ka lënë të vdekur disa njerëz – përfshirë themeluesin e një Batalioni që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Shpërthimi i 3 shkurtit është më i fundit në një valë shpërthimesh dhe sulmesh – duke ngjallur frikë për rikthimin e dhunës së bandave që kishte përfshirë Kryeqytetin rus në vitet e ’90-ta.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, i citoi autoritetet të kenë thënë se mjeti shpërtheu rreth orës 9:45 në mëngjes. Mjeti me gjasë ishte dërguar në Kompleksin banesor, Alye Parusa, nga korrieri.

Në mesin e viktimave ishte edhe Armen Sarkisian, themeluesi i një Batalioni ushtarak me përkatësi armene, i cili ka luftuar në Ukrainë përkrah trupave ruse. Agjencitë e lajmeve Interfax dhe TASS cituan zyrtarë të paemëruar të cilët thanë se ai vdiq pasi u dërgua në Spital në gjendje të rëndë.

Dëshmitarët thanë se në kohën e shpërthimit Sarkisian u pa duke ecur në një korridor të ndërtesës drejt një parkimi.

TASS citonte një zyrtar të paemëruar të forcave të rendit i cili tha se me gjasë kjo ka qenë tentativë për vrasje.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.

Gazeta Kommersant raportoi se truproja e tij, Oleg Kasperovich, u vra dhe një truprojë tjetër u plagos rëndë.

Batalioni që Sarkisian thuhet se e ka themeluar quhet ArBat, tani formalisht pjesë e Redut – një rrjet mercenarësh të mbështetur nga Inteligjenca Ushtarake Ruse.

Autoritetet ukrainase e kanë akuzuar Sarkisianin për përfshirje në dhunën e protestave të rrugës Maidan në Kiev, në vitin 2014.

Sipas mediave ukrainase, ai gjithashtu është mik i ngushtë i ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili iku në Rusi pas protestave të Maidanit në vitin 2014.

Në prill të vitit 2018 Sarkisian u ndalua në Francë, ku po priste ekstradimin në Ukrainë. Megjithatë, ai u lirua pas dy ditësh “me garanci personale”.

Shpërthimi i së hënës është i dyti në muajt e fundit në Kryeqytetin rus që ka tronditur banorët dhe ka ngjallur frikën për rikthimin e dhunës në rrugë, që Moska e përjetoi gjatë viteve ‘90.

Në dhjetor një gjeneral i lartë i forcave ruse të mbrojtjes kundër armëve kimike dhe biologjike u vra kur një skuter elektrik shpërtheu në trotuar pranë ndërtesës së tij./ REL