Vrau gruan e tij para 20 viteve në Gjermani, Gjykata e Ferizajt e dënoi me 10 vite burgim

Gjykata e Ferizajt e ka dënuar me 10 vite burgim unik të pandehurin A.G.V., i akuzuar për vrasjen e gruas së tij më 9 nëntor 2002, në banesën e përbashkët familjare në Bad Oeynhausen të Gjermanisë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, trupi gjykues të pandehurin A.G.V. e shpalli fajtor dhe e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej 10 viteve, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Dënimi do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në njoftim është thënë se A.G.V. akuzohet se me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij I.G., në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme dhe për motive xhelozie, të ndjerën e kishte goditur tri herë me thikë të kuzhinë me teh rreth 20 cm.

Sipas Gjykatës, viktima goditjet i ka marrë një herë në pjesën e majtë të barkut, një herë në pjesën e përparme të kofshës së djathtë dhe një herë në pjesën e shpatullës së majtë afër kraharorit, duke i shkaktuar plagë me një gjatësi prej 7 cm dhe një thellësi të paktën 20 cm.

Gjykata ka thënë se viktima si pasojë e goditjeve ka marrë plagë vdekjeprurëse dhe të nesërmen ka vdekur në spitalin e Bad Oeynhausenit.

Mirëpo, gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Gjykatës, A.G.V. nuk akuzohet vetëm për këtë vepër penale. Ai, po ashtu, në datën, kohën dhe vendin e njëjtë, me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarave H.G. dhe D.K.

Sipas Gjykatës, i pandehuri kishte kryer këto veprime pasi gjersa ishte duke u grindur me viktimën, bashkëshorten e tij I.G.,  e dëmtuara D.G. kishte tentuar ta thërrasë Policinë përmes telefonit.

Ky veprim, sipas njoftimit, duket se nuk i ka pëlqyer të pandehurti i cili kishte marrë një thikë kuzhine me gjatësi rreth 20 cm me të cilën e kishte goditur të dëmtuarën D.K., në anën e djathtë të kraharorit, duke i shkaktuar plagë prerëse, shpuese, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

A.G.V. me aq sa shihet në njoftim të Gjykatës nuk është ndalur me kaq. Ai, pas sulmit ndaj viktimës dhe të dëmtuarës D.G., kishte goditur edhe të dëmtuarën e dytë H.G..

Si pasojë e kësaj goditje, H.G., sipas Gjykatës, kishte pësuar lëndime në pjesën e barkut duke i shkaktuar plagë prerëse, shpuese në anën e majtë të abdomenit me dëmtime të zorrës së hollë, gjakderdhje arteriale, dëmtim i apendiksit, të cilës i ka shkaktuar dëmtime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën e të dëmtuarës në momentin e shkaktimit.

Gjykata ka thënë se të pandehurit A.G.V. me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar sipas këtij aktgjykimi.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar dhe ankesa duhet t’i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.