Foto: KALLXO.com

Vrasjet për të cilat po akuzohen krerët e UÇK-së

Dhoma e Prokurorëve të Specializuar ka publikuar zyrtarisht aktakuzën kundër katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Me këtë aktakuzë 68 faqëshe krerët e UÇK-së po akuzohen për vrasje, trajtime çnjerëzore dhe tortura të civilëve gjatë luftës dhe zhdukje të tyre.

Vrasjet për të cilat ata po akuzohen pretendohet te kenë ndodhur në Likoc të Skenderajt, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Përpos vrasjeve ata akuzohen se personalisht kishin marrë pjesë në trajtimin e kundërshtarëve në terren, duke marrë pjesë në frikësim, marrje në pyetje, keqtrajtim dhe ndalim të kundërshtarëve.

Sipas prokurorit të specializuar Jack Smith një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Në aktkuzë thuhet se në qershor të vitit 1998 një tjetër person në fshatin Llapushinik ishte arrestuar nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushink kishin arrestuar afërsisht 30 persona ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Në aktakuzë pretendohet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas kësaj aktakuze gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Aktakuza I ngarkon ish krerët e UÇK-së edhe për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë.

Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një

dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë, anëtarët e UÇK-së që hynë në dhomë e rrahën dhe e shkelmuantë paraburgosurit. Të njëjtit më pas ishin qëlluar dhe vrarë nga disa pjesëtar të UÇK-së.

Pjesë e aktakuzes së prokurorisë Speciale është edhe qendra e paraburgimit në Kleçkë.

Aty sipas prokurorit të specializuar dy persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UCK-së.

Aktakuza flet edhe për katër viktima të tjera në qendrën e paraburgimit në Kleçkë. Aty katër burra sipas prokurorisë ishin dërguar, ishin vendosur në dhoma të ndara dhe asnjëri nga ta nuk ishte parë më I gjallë.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat I keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UCK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Sipas prokurorisë Hashim THAÇI, Kadri VESELI, Rexhep SELIMI dhe Jakup Krasniqi ishin angazhuar dhe kishin nxitur kimet e cekura në këtë aktakuzë.

Prokurori i Specializuar pretendon se Hashim Thaqi,  Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasiniqi ishin në dijeni për këto krime dhe se tani secili nga ta është përgjegjës për persekutim, trajtim çnjerëzor, vrasje dhe zhdukje të personave.

Sot me vendim të prokurorit të Specializuar drejtë Hagës udhëtuan ish Presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe deputeti Rexhep Selimi.

Dje për në Hagë kishte udhëtuar edhe Jakup Krasniqi i cili ndryshe nga këta të fundit ishte bastisur, arrestuar dhe dërguar për në Hagë.