
Vendi ku ndodhi gjuajtja me armë në Vushtrri Foto: KALLXO.com
Vrasjet ne Vushtrri: Komuna thërret mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri
Në vetëm 24 orë, në Vushtrri janë shënuar tre raste të vrasjeve të rënda.
Për këtë ka reaguar kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, të martën, më 25.03.2025.
I pari i Vushtrrisë njofton se ka thirrur mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
“Ky ka qenë një moment shumë i vështirë për të gjithë ne dhe për komunitetin tonë. Për këtë arsye, direkt kam thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.” – ka shkruar Idrizi.
Tutje, ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave duke shtuar se pret drejtësi për të dy rastet.
“Në këto momente të vështira, ngushëllimet e mia shkojnë për familjarët e viktimave dhe për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë të cilët po përjetojnë këtë dhimbje të papërshkrueshme. Organet e Sigurisë po i trajtojnë këto dy raste dhe ne presim që Drejtësia ta thotë fjalën e fundit.” – ka shkruar ndër të tjera Idrizi.
Brenda 24 orëve dy vrasje kanë ndodhur në Vushtrri.
Pasditën e së hënës, në fshatin Stanoc, ka ndodhur një vrasje e dyfishtë ku dyshohet se një burrë ka vrarë me armë zjarri një grua dhe më pas edhe veten.
Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës, derisa është njoftuar se hetuesit policorë nën udhëheqjen e Prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale: “vrasje e rëndë” dhe “vetëvrasje”.
Vrasja e dyfishtë në Vushtrri – Prokuroria jep detaje
Ndërsa, mbrëmjen e së dielës, një 19-vjeçar mbeti i vrarë pas të shtënave me armë në qytetin e Vushtrrisë, nga një i dyshuar i moshës së njëjtë.
I dyshuari është arrestuar, ndërsa e ka pranuar fajësinë për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij.
Të dyshuarit, B.D., Gjykata e Mitrovicës më 24.03.2025 i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.