Foto: KALLXO.com

Vrasjet në familje që tronditën vendin në 5 muajt e fundit

Gjilani është tronditur nga një vrasje e shumëfishtë që ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në një shtëpi në rrugën “Xhevat Ajvazi” në lagjen ‘Bujanina’ në këtë qytet.

Në ndërkohë, ky vit ka qenë i përgjakshëm edhe në një familje në Prizren.

Në mëngjesin e 22 janarit, në lagjen Ortakoll të Prizrenit, burrë e grua u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre.

Pranë viktimave ishte gjetur një armë zjarri dhe dy gëzhoja, ndërsa viktimat kanë plagë në kokë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Prokuroria e Prizrenit po e kërkon djalin e viktimave, i cili që nga dita kur dyshohet të ketë ndodhur ngjarja nuk është arritur të kapet nga organet e drejtësisë.

Ndërsa në gushtin e vitit të kaluar, në lagjen Ortakoll në rrugën “Hysni Morina”, rreth orës 23:00, një grua kishte mbetur e vrarë nga plagët e armës së zjarrit, që ishte në posedim të bashkëshortit të saj.

Bajram Velija, bashkëshorti i të ndjerës është i dyshuari i vetëm deri më sot, e sipas dyshimeve të Prokurorisë deri te ngjarja kishte ardhur pasi që bashkëshortja e të dyshuarit kishte kërkuar ndarjen nga ai.

Në vendin e ngjarjes pranë viktimës ishte gjetur pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

(FOTO) Vendi ku ndodhi vrasja në Prizren

Në anën tjetër, sipas Prokurorisë së Gjilanit, një zyrtare policore ka vrarë sot prindërit, dy vëllezërit dhe pastaj ka kryer vetëvrasje.

Rasti tragjik ka ndodhur sot rreth orës 13:00.

Prokuroria nuk ka njoftuar deri më tani për ndonjë motiv të mundshëm për vrasjen.

Pak minuta më parë janë tërhequr trupat e viktimave.

Vrasja e pesëfishtë në Gjilan, Mjekësia Ligjore tërheq trupat e viktimave