Vrasjet e shqiptarëve në Sllovi të Lipjanit më 1999, dëshmitarët tregojnë se e kishin parë të akuzuarin Goran Stanishiq

Në gjykimin ndaj Goran Stanishiqit, i cili po akuzohet për krime lufte të kryera në fshatin Sllovi të Lipjanit, kanë dhënë dëshminë e tyre edhe dy dëshmitarë të propozuar nga ana e Prokurorisë Speciale.

Stanishiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë prillit 1999, si pjesëtar i forcave policore serbe, bashkë me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjet dhe dëbimet e popullatës civile shqiptare në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Dëshmitari D. B., para gjykatës ka treguar se në vitin 1999, kishte qenë në fshatin e tij në në Sllovi të Lipjanit, ku forcat serbe i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.

B. më pas ka treguar se si i kishte parë të vrarë komshinjtë e tij, rrugës kur kishin filluar ta lëshojnë fshatin.

“G. ka qenë mas meje, se neve na ndalën tek shpia e H., e kanë zbrit vllaun prej traktorit, veç i kanë lyp pare edhe e kanë kthyer apet. Në shpi të Sh. e vrajten G., me pa se kom pa, veç e kemi ni të shtëna armësh. Edhe F. e kanë vra se para meje ka qenë, kur e kanë zbirt prej trakotrit, me pa se kom pa se e quan në shpi të H. G.”, tha dëshmitari.

Ai tregoi se kishte parë policë serbë, dhe njëri nga ta që e kishte njohur kishte qenë një person me emrin Sasha, duke treguar se nga polica serbe ishin ndaluar edhe bashkëfshatarë të tjerë.

“Kam parë Sashën dhe policë tjerë, tjetër kon nuk e kanë nal përpos F., edhe shqiptarë tjerë ka pas aty krejt shqiptarët e atij fshati. Tjerët shqiptarë i kanë marrë të shkolla e vjetër, ka pas ushtarë dhe policë. Te shkolla e vjetër e kanë nal B. G., F. B., A. B., R. me mbiemrin se di, M. P. dhe J. K.”, shtoi dëshmitari.

Tutje i njëjti ka rrëfyer se personat e lartcekur kishin qenë të mbështetur për muri, të rrethuar nga forcat serbe, dhe sipas tij në atë vend kishte qenë edhe Mirosllavi dhe Lubishta, dhe i akuzuari Goran Stanishiq.

Ndërsa për të akuzuarin Stanishiq, dëshmitari ka treguar se e kishte parë të veshur me uniformë ushtarake.

“Gorani ka qenë i veshur me tesha të ushtrisë, ngjyrë ushtarake të larme, Gorani sa e kom pa ka qenë duke u lëshu te poshtë në drejtim të shkollës, dhe nuk ka pas maskë”, tha dëshmitari B.

Ndërsa për të akuzuarin Stanishiq, dëshmitari tha se prej moshës 7 vjet e njeh të njëjtin.

“Goranin e kom njoft prej kur i kom pas 7-8 vjet, prej kur e kanë pasur shitoren edhe e kanë pasur depon që kanë shit miell edhe ksi sene”, tha dëshmitari.

Kurse sa i përket personit me emrin Sasha, dëshmitari, rrëfeu se i njëjti kishte qenë polic në Lipjan.

“Sasha, kur t’vjen këtu muj m`i tregu gjykatës, është fshatar i joni, djali i Daimanit dhe ka punu polic në Lipjan, rezervist apo i rregullt se di, i ka pas atëherë dikun rreth 30 vjet”, tha dëshmitari.

Pas kësaj dëshmitarit iu dha, një letër e bardhë me të cilën e identifkoi pozicionin e tij, pozicionin e të akuarit Goran Stanishiq kur e ka parë dhe në cilën pjesë të fshatit, dhe kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj, bëri të ditur se kjo skicë do të jetë pjesë e procesverbalit.

Më pas seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit N. G., i cili ka treguar se në vitin 1999 gjatë gjithë kohës kishte qenë në fshatin e tij në Sllovi, së bashku me familjen e tij.

Kurse ditën e 15 prillit, i njëjti ka treguar se forcat serbe kishin hyrë në fshatin e tij dhe ai dhe familja e tij me traktor kishin tentuar të iknin nga fshati, por forcat serbe i kishin ndaluar.

“Më 15 prill 99 ditë e enjte ka qenë ajo, rreth orës afër 1 aty ka qenë e kemi pa veç në fillim të fshatit, kanë fillu foracat krimale serbe me kall me kërsit. Kur jena shku tek lagjja e Hashanve na kanë ndal dy policë, unë kamë qenë duke e vozit traktorin, aty na kanë kthy mrapa, polici ka qenë Toshiqi, ka qenë me tesha t`policit, kurse tjetër me tesha t`ushtarëve, ka qenë një qel po se kam njoftë”, tha dëshmitari.

Tutje i njëjti ka treguar se bashkëfshatarin e tij e kishte parë kur forcat serbe e kishin zbrit nga traktori, dhe e kishin futur në oborrin e një shtëpie, ku e kishin vrarë, por vetëm të shtënat i kishin dëgjuar.

“F. e kom pa që e kanë zbrit, edhe e kanë shti në oborr, edhe na kena ni vetëm të shtëna, se paramilitarët i kanë pasur Kallashnikov dhe të shtëna kanë qenë rafall”, shtoi dëshmitari.

Në pyetjen e prokurores Drita Hajdari, se a i ke njohur komshinjtë serbë të Sllovisë, a e ke pa dikon prej tyre krejt këto qa na tregove, dikon rrugës? Dëshmitari u përgjigjë “po kom pa, e kom pa Goranin këtë kriminelin e kom parë, u kanë para dyerve të M. G., edhe kufomat kanë qenë shtrime mrena se dyert kanë qenë hapur e ka pasur një maskë, të zezë dhe ka qenë me tesha ushtarake”.

Për të akuzuarin Goran Stanishiq, i njëjti tregoi se e ka njohur shumë mirë se në atë kohë dëshmitari tha se kishte qenë 21 vjeç dhe i kujtohet shumë mirë ngjarja të cilën e ka parë.

“Unë në kohën e luftës i kom pas 21 vjet, në bazë të fizionomisë, e kom pa, e kom pa mirë dhe maskën e ka pasur dej ngjysë iu ka pa fytyra”, tha dëshmitari.

Pas kësaj seancat e radhës u caktuan më datë 9 dhe 10 dhjetor.

Sipas Prokurorisë Speciale, Goran Stanishiq gjatë 15 dhe 16 prillit 1999 ka kryer krime lufte kundër popullatës civile shqiptare dhe atë ndaj fqinjve të tij.

Në aktakuzë thuhet se Goran Stanishiq gjatë vitit 1999 jetonte në fshatin Sllovi të Lipjanit dhe se ishte pjesëtar rezervë i Policisë.

Ai në katër pikat e aktakuzës së Prokurorisë akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F. B., Z. G. dhe personave të tjerë të ciltë sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetatarë dhe ishin pushkatu.