Arma e sekuestruar nga Policia në Prizren, Foto: Shaqir Bytyqi

Vrasje në tentativë në Topliçan të Suharekës, arrestohen tre persona

Policia në Prizren ka njoftuar se pas një zënke, një person i shoqëruar nga dy shokë, nga parkingu i një lokali nate në Suharekë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të lokalit.

Këtë rast e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, rasti ka ndodhur në fshatin Topliçan, më 30.08.2024, rreth orës 02:05. 

Për shkak të këtij rasti, Bytyqi ka treguar se një grua është plagosur në këmbë dhe disa persona të tjerë janë lënduar.

“Si pasojë një femër ështē plagosë në këmbë nga plumbi dhe 6 persona të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga xhamat. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë” – ka thënë Bytyqi, më 30.08.2024. 

Bytyqi ka shtuar se patrulla policore sapo është informuar se ka ndodhur ky rast, ka shkuar në vendin e ngjarjes, të cilëve u janë bashkangjitur më pas të gjitha njësitë përgjegjëse dhe eprorët e Stacionit policor dhe ata Rajonal të Policisë.

Si rrjedhojë, policët kanë arritur të identifikojnë dhe t’i arrestojnë tre të dyshuarit, dy prej të cilëve Bytyqi thotë se janë ndaluar për 48 orë.

“Policia ka punuar me përkushtim dhe pa ndalë derisa tre të dyshuarit janë identifikuar dhe arrestuar. Dy të dyshuar meshkuj (Ç.S. 22 vjeç dhe A.A. 23 vjeç ) nga Suhareka pasi që janë intervistuar me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari i tretë (mashkull A.D. 18 vjeç) është liruar me procedurë të rregullt” – ka njoftuar Bytyqi.

Përveç arrestimit të të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe armën që dyshohet se u përdor në kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.