Vrasje në Prizren, dyshohet se djali e vrau babanë me thikë

Një vrasje ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Prizren, ku dyshohet se djali e ka vrarë babanë e tij me thikë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, komandanti i Policisë në Prizren, Haxhi Kabashi.

“Është dhunë në familje që ka si pasojë vrasjen, djali dyshohet se e ka sulmu me thikë prindin dhe si pasojë e sulmit me thikë ai ka vdekur”, ka thënë Kabashi.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Dardania” në Prizren rreth orës 13:50.

Kabashi ka thënë se personi i dyshuar është arrestuar dhe mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vrasja është konfiskuar në vendin e ngjarjes.

Më tej ai ka thënë se në vendin e ngjarjes janë Prokuroria dhe njësitë e tjera relevante.

Pak minuta më herët, në vendin e ngjarjes ka arritur edhe ekipi i Mjekësisë Ligjore.