Vrasje e dyfishtë në Gramsh, burri vret me sëpatë gruan dhe vëllanë e tij

Një vrasje e dyfishtë dyshohet të ketë ndodhur në Gramsh të Shqipërisë, ku një burrë thuhet se ka vrarë bashkëshorten dhe vëllanë e tij.

Sipas Policisë së Shtetit, nga veprimet e para hetimore rezulton se burri me inicialet Xh.S. dyshohet se me sëpatë ka vrarë gruan, e cila ndodhej në banesë dhe më pas ka vrarë vëllanë e tij.

“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi Xh. S., 80 vjeç, dyshohet se për motive të dobëta, ka vrarë, me send të mprehtë (sëpatë), bashkëshorten e tij, shtetasen Z. S., rreth 74 vjeçe, e cila ndodhej në banesë, dhe më pas ka vrarë vëllanë e tij, shtetasin Sh. S., 73 vjeç, i cili ndodhej në territorin e banesës së tij, rreth 1 kilometër larg nga banesa e autorit”- thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit thotë se autori është kapur dhe është dërguar në komisariat për veprime të mëtejshme, ndërkaq si provë materiale është sekuestruar sëpata.

“Falë veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë u bë kapja dhe shoqërimi i autorit, për në Komisariatin e Policisë Gramsh për veprime të mëtejshme. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti i mprehtë sëpatë me të cilën autori dyshohet që ka kryer krimin e dyfishtë”- thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se grupi hetimori i Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.