Vrasja që pretendohet se u porosit nga gruaja, paraqitet lista e thirrjeve telefonike mes të akuzuarve

Në rigjykimin lidhur me vrasjen e Abedin Bytyqit, vrasje e cila kishte ndodhur me 6 tetor të vitit 2016 në fshatin Peqan të Suharekës, ku po akuzohen vëllezërit Murat e Reshat Ademi, Fadil Fetiu dhe gruaja e të ndjerit Resmie Bytyqi, u sqarua listingu i thirrjeve nga ana e ekspertit të telefonisë Fatbardh Dragusha.

Kërkesa për ekzaminimin e thirrjeve ishte bërë në seancën e kaluar nga avokatët mbrojtës, të cilët me pëlqimin e prokurorisë kanë kërkuar që si plotësim i ekspertizës të bëhet regjistrimi i hyrjeve daljeve të bisedave telefonike.

Eksperti deklaroi se kompania IPKO dhe VALA kanë njoftuar se thirrjet e numrave mund të ruhen vetëm deri në një vit.

Dragusha sqaroi ekspertizën dhe në bazë të listingut të thirrjeve janë paraqitur disa lokacione për kohën kur janë realizuar ato mes të akuzuarve Fadil Fetiu dhe Murat Ademi.

Sipas ekspertizës të paraqitur në seancë, Fadil Fetiu në ora 10 ka qenë në Rahovec dhe është thirrur në telefon nga Murat Ademi. Më pas, gjithnjë sipas listingut të thirrjeve, në ora 13:29 minuta Fetiu ka qenë në zonën e fshatit Studenqan të Suharekës që përfshin dhe kafiterinë “Bunari” ndërsa në 15:16 minuta ka qenë në lëvizje nga periferia e Suharekës për në qendër të Suharekës. Në mbrëmje, në ora 18:16 minuta i akuzuari Fadili ka qenë në lëvizje nga fshati Reshtan, pjesë të fshatit Zllapuzhan apo autostradë ku dhe e ka thirur Murat Ademin dhe kanë biseduar 38 sekonda, deklaroi eksperti Dragusha.

Ekspertiza vazhdoi me sqarimin e lokacioneve të thirrjeve të realizuara nga të akuzuarit ku shihet se listingu i fundit për datën 18 tetor 2016 është në ora 20:14, ku i akuzuari Fetiu është thirrur nga Murat Ademi dhe kanë biseduar 23 sekonda.

Lidhur me këto sqarime të thirrjeve telefonike, avokati mbrojtës Blerim Mazreku e pyeti ekspertin se në çfarë përfundimi mund të vijë nga listingu i numrave të të akuzuarve.

“Këta numra kanë qenë në zonën e njëjtë të mbulueshmërisë”, deklaroi Dragusha.

Mirëpo, ai tha se nuk mund të konstatohet se të akuzuarit e lartcekur a kanë qenë bashkë apo ndaras.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua për datat 10, 11 dhe 15 nëntor 2021 ku do të vazhdojë me marrjen në pyetje të të akuzuarve.

Sipas prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Byqyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuaren Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të xhaxhait dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, Gjykata e Prizrenit kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Kështu, të akuzuarit Murat Ademi, për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë të ndjerin Abedin Bytyqin, Gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit Gjykata i shqiptoi 20 vite burgim, të akuzuarit Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e veprës penale gjykata i shqiptoi 12 vite burgim.

Kurse, i akuzuari Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.

Mirëpo, vendimi i Themelores nuk e kishte marrë aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero.

KALLXO.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e gjykimit për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.

Vrasja mizore në Suharekë, propozohet ekzaminimi i telefonit të gruas së akuzuar për porositjen e vrasjes së burrit të saj

Rigjykim për vrasjen e rëndë në Suharekë, gruaja akuzohet se porositi vrasjen e burrit