Ilustrim

Vrasja për të cilën po akuzohet nga Specialja ish-komandant "Cali"

Gjykata Speciale gjatë ditës së sotme ka arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’.

Sipas njoftimit të Gjykatës, arrestimi i Mustafës është bërë pas aktakuzës së konfirmuar.

Sipas kësaj aktakuze të publikuar sonte, Salih Mustafa akuzohet se ishte i pranishëm kur një person e kanë dërguar në kompleksin e ndalimit në Zllash. Disa anëtarë të UÇK-së e kanë shenjëstruar dhe ai u rrah dhe u torturua më rëndë se personat e tjerë të ndaluar.

“Gjatë mbajtjes së tij i ndaluar, familjarët e tij vazhdimisht kërkuan të merrnin informata për fatin e tij, mirëpo morën informata të rreme, të paplota ose nuk morën asnjë informatë”, thuhet në aktakuzën kundër Mustafës.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, viktima është parë për herë të fundit i gjallë më 19 prill 1999 ose përafërsisht rreth kësaj date.

Në aktakuzë thuhet se familja e tij nuk dëgjoi më kurrë për të, ndërsa rreth fundit të prillit 1999, njësiti ‘BIA’ u largua prej Zllashit. Kufoma e viktimës është zbuluar më vonë. Gjykata nuk e përmend datën se kur.

Aktakuzën mund ta gjeni KËTU.