Foto: KALLXO.com

Vrasja për 20 euro borxh, vëllai i të akuzuarit sillet në Gjykatë i shoqëruar nga Njësia Speciale

Nën masa të larta sigurie dhe nën përcjelljen e Njësisë për Reagime të Shpejta të Policisë është sjellë në Gjykatën e Prizrenit dëshmitari Nijazi Ahmeti për të dëshmuar në gjykimin e vëllait të tij, i akuzuar për vrasjen në Suharekë.

“Ne burrat e familjes jemi ende të mbyllur prandaj kam kërkuar të vijë në gjykatë me përcjellje. Kemi dërguar persona për besë te familja e të ndjerit por nuk na kanë dhënë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari ‘është n’besë’, shtyhet gjykimi për vrasje të rëndë

I njëjti, përpara trupit gjykues mohoi të kishte pasur problem me të ndjerin para ditës kritike madje ata kishin biseduar shpeshherë përmes Facebookut.

Tutje, dëshmitari shtoi se një mosmarrveshje kishte lindur vetëm një ditë para ngjarjes. Kjo për faktin se, sipas tij, Shaip Krasniqi asnjëherë nuk e kishte paguar atë për mbikëqyrjen e tokës.

“Tokën e Shaip Krasniqit e kam mbikëqyrë për 10 ditë, por i njëjti asnjëherë nuk më ka paguar për punën që e kam kryer. Vetëm një herë ai më ka blerë dy pako cigare por nuk më ka dhënë para”, tha ai.

Dëshmitari pohoi se një ditë para ngjarjes kritike përmes mesazhit ia kishte kërkuar 20 euro të ndjerit. Mirëpo, Shaip Krasniqi e kishte kërcënuar përmes telefonit dhe kishte kërkuar që të takohen te lokali i Liman Aliut.

“Takimi është caktuar ditën kritike por pas atyre sharjeve që m’i ka bërë unë nuk kam dalë në takim”, sqaroi Ahmeti.

Gjykimi vazhdoi me dëgjimin e ekspertit mjeko-ligjor, dr. Musa Gashi.

Sipas ekspertit, në trupin e të ndjerit janë konstatuar 16 plagë, 8 hyrëse dhe 8 dalëse. Ai shtoi se sipas ekspertizës, vdekja kishte ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, pas dëmtimeve të kokës, kraharorit, abdomenit dhe thyerjeve të shumta në trup.

Ndërsa, nga ekspertiza Gashi konstatoi se distanca e qitjes ka qenë e realizuar nga afërsia, që nënkupton deri në 1 metër.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua për më 1 dhjetor.

Sipas Prokurorisë, në orët e vona të mbrëmjes, më 26 janar 2020, në një kafiteri të fshatit Maqitevë të Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 eurove, që ia kishte tani i ndjeri vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti, privon nga jeta Shaip Krasniqin.

Tutje thuhet se fillimisht i ndjeri i thotë të akuzuarit: “A e di kë e keni sha ju, pa ta q* n* nuk e la, në qoftë se je burrë çu dil jashtë”, dhe nga aty i ndjeri del jashtë në oborr, dhe i kërkon falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, ndërsa i akuzuari me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Aktakuza tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti shkon te kamioneta e tij dhe nga aty merr pushkën automatike “AK-47” dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër shkrep në drejtim të të ndjerit Shaip Krasniqi, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “çu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, e godet edhe disa herë me ç’rast i shkakton tetë plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.