Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Vrasja në tentativë në Kaçanik, Gjykata vendosi për të dyshuarit

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.L. dhe A.S.

Ata po dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasja në tentativë.

Gjykata ka njoftuar se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit më 7 mars 2021, në fshatin Rekë, komuna e Kaçanikut, me dashje kanë tentuar që t’i provojnë nga jeta të dëmtuarit F.T. dhe L.T.

Tutje Gjykata njofton se të dyshuarit pas një mosmarrëveshjeje të ndodhur një natë më parë, në mes të vëllait të të pandehurit F.L, S.L., dhe tani të dëmtuarit L.T., natën kritike së bashku edhe me të pandehurin K.Ç., derisa kanë qenë me veturën e tyre, të cilën e ka drejtuar i pandehuri A.S., u dalin në pritë të dëmtuarve F.T. dhe L.T. në afërsi të shtëpisë së të dëmtuarit F.T., ndalin veturën, i presin dhe në momentin kur të dëmtuarit vijnë me veturën e tyre, të pandehurit dalin nga vetura dhe me përdorimin e armës të llojit AK 47 shtien në drejtim të tyre, me ç ‘rast të njëjtëve u shkaktojnë lëndime trupore.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një  muaj”, njofton Gjykata e Ferizajit.